Hull City rikthehet në Premier League pas nëntë vitesh

Futboll

Hull City rikthehet në Premier League pas nëntë vitesh

Më: 23 maj 2026 Në ora: 19:32
Pamje nga ndeshja

Hull City është rikthyer në elitën e futbollit anglez pas nëntë vitesh mungesë, pasi ka mposhtur 1:0 Middlesbrough në finalen e “play-off” të Championship, të zhvilluar në "Wembley".

Ndeshja ka qenë shumë e kujdesshme nga të dy skuadrat, me raste të pakta shënimi dhe shumë tension, pasi në lojë ka qenë promovimi në Premier League.

Në pjesën e parë, rastet kanë qenë të kufizuara. Aidan Morris e ka provuar nga distanca për Middlesbrough, por pa sukses, ndërsa David Strelec ka humbur një rast me kokë.

Në anën tjetër, Hull i është afruar golit në fund të pjesës së parë, kur goditja me kokë e Oliver McBurnie ka përfunduar në traversë.

Edhe pjesa e dytë ka sjellë shumë luftë në mesfushë dhe pak raste të pastra. Me kalimin e minutave, tensioni është rritur, ndërsa mbrojtjet e të dy skuadrave kanë vazhduar të dominojnë.

Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt vazhdimeve, Hull City e ka gjetur golin e fitores në minutën e nëntëdhjetë e pestë. Oliver McBurnie është gjendur në vendin e duhur në zonë dhe e ka dërguar topin në rrjetë, duke shpërthyer festën e tifozëve të Hull.

Skuadra e Hull City ka menaxhuar minutat e fundit të kohës shtesë dhe e ka siguruar fitoren dramatike që e rikthen në Premier League për herë të parë pas nëntë vitesh.

Megjithëse e ka përfunduar sezonin me shtatë pikë më pak se Middlesbrough, Hull City ka arritur objektivin madhor, ndërsa Middlesbrough do të mbetet edhe një sezon në Championship.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat