AP Brera nga Strumica do të luajë në barazh për mbijetesë në elitë, por para kësaj synon ta mbyllë sezonin me rezultat pozitiv, duke kërkuar fitore në ndeshjen e sotme (16:30) ndaj ekipit shqiptar Shkupi.
“Duhet ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë dhe të përgatitemi për ndeshjen e barazhit që na pret për mbijetesë në elitë”, bëjnë të ditur nga Brera.
Nga ana tjetër, trajneri i Shkupit, Alisa Vishi, në këtë takim do t’u japë hapësirë futbollistëve të rinj që ende nuk kanë pasur shumë minuta në elitë.
Një pjesë e titullarëve do të pushojnë për të qenë maksimalisht të përgatitur për finalen e madhe të Kupës së të rinjve, ku Shkupi sërish do të përballet me AP Brerën.
“Kjo është ndeshja jonë e fundit në elitë dhe do të përpiqemi ta mbyllim sezonin me dinjitet. Jam krenar për këta djem që luftuan deri në fund për ngjyrat e klubit me një qëllim — të shmangim kolapsin dhe rënien në Ligën e Katërt.
Është më mirë të fillosh nga Liga e Dytë sesa nga e Katërta. Tani kemi kohë të mobilizohemi dhe ta rikthejmë klubin aty ku e ka vendin”, deklaroi Vishi.
Ai shtoi se ndaj AP Brerës do të udhëtojnë futbollistët me më pak minuta këtë sezon, ndërsa disa lojtarë do të pushojnë për shkak të ngarkesës fizike dhe finales së Kupës së të rinjve.
Në 33 përballjet e deritanishme në gara, Shkupi ka 17 fitore, AP Brera ka triumfuar 9 herë (dy herë këtë sezon), ndërsa 7 ndeshje kanë përfunduar baras.
Takimi mes AP Brera dhe Shkupit luhet sot pasdite në stadiumin e Strumicës, duke nisur nga ora 16:30.