Pak javë para nisjes së Botërorit 2026, shumë hotele në qytetet pritëse amerikane po raportojnë rezervime më të ulëta nga pritshmëritë. Operatorët turistikë fajësojnë çmimet shumë të larta të biletave, kostot e udhëtimit dhe pasiguritë për vizat hyrëse në SHBA.
Në prag të Botërorit 2026, atmosfera në qytetet amerikane që do të presin ndeshjet mbetet ende larg entuziazmit tipik të Kupës së Botës.
Edhe pse fan zonat po përgatiten dhe reklamat e turneut janë shtuar ndjeshëm, sektori i hotelerisë po përballet me prenotime më të ulëta nga sa ishte parashikuar. Sipas mediave amerikane, tetë nga dhjetë hotele në qytetet organizatore raportojnë kërkesë më të dobët krahasuar me pritshmëritë.
Në Houston, një nga qendrat kryesore të turneut, rezervimet kanë arritur vetëm në 45 për qind, nga 70 për qind që regjistrohej në të njëjtën periudhë vitin e kaluar. Operatorët turistikë flasin për një kombinim faktorësh: çmime tepër të larta të biletave, klimë të tensionuar politike në Shtetet e Bashkuara dhe procedura të vështira për vizat hyrëse.
Shifrat për finalen e Botërorit në stadiumin MetLife të New Jersey kanë shkaktuar debat të madh. Disa bileta zyrtare janë nxjerrë në shitje deri në 33 mijë dollarë, ndërsa në tregun sekondar çmimet kanë kaluar edhe 2 milionë dollarë. Edhe Presidenti Donald Trump ka ironizuar publikisht duke thënë se “as vetë nuk do t’i paguante”. Pakënaqësi ka edhe mes tifozëve, të cilët ankohen se çmimet aktuale po e bëjnë Botërorin të paarritshëm.
Megjithatë, industria e hotelerisë mbetet optimiste. Shumë drejtues hotelesh besojnë se vala e vërtetë e prenotimeve do të nisë vetëm pak javë para fillimit të turneut, kur tifozët të mësojnë kalendarin dhe rrugëtimin e skuadrave të tyre.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka krijuar një task-forcë të posaçme për të lehtësuar organizimin dhe hyrjen e tifozëve të huaj në Shtetet e Bashkuara.