Torino dhe Juventusi kanë ndarë pikët në derbin e qytetit të Torinos, duke barazuar 2:2 në javën e 38-të të Serie A, në një përballje të shoqëruar me tensione jashtë stadiumit.
Takimi nisi me një orë vonesë për shkak të incidenteve mes tifozërive.
Sipas raportimeve në Itali, grupet e tifozëve të të dy skuadrave u përleshën pranë stadiumit, ndërsa një tifoz i Juventusit pësoi lëndim në kokë.
Tifozët e të dy klubeve kishin kërkuar shtyrjen e ndeshjes, por organizatorët vendosën që ajo të zhvillohej.
Në fushë, Juventusi kaloi dy herë në epërsi falë dy golave të Dushan Vllahoviqit në minutat 24 dhe 64-të. Megjithatë, Torino nuk u dorëzua dhe reagoi duke rikthyer rezultatin. Casadei realizoi në minutën e 60-të, ndërsa Adams shënoi golin e barazimit në minutën e 84-të për rezultatin përfundimtar 2:2.
Ardian Ismajli u paraqit titullar për Torinon dhe dha maksimumin gjatë gjithë takimit, ndërsa Edon Zhegrova u inkuadrua te Juventusi në minutën e 78-të. Vetëm dhjetë minuta më vonë, në minutën e 88-të, reprezentuesi ynë u ndëshkua me karton të verdhë.
Ky barazim rezultoi i hidhur për Juventusin, i cili e mbylli sezonin në pozitën e gjashtë me 69 pikë dhe mbeti jashtë Champions League. Në anën tjetër, Torino përfundoi në vendin e 12-të me 45 pikë.