Dinamo e Ferizajt po e merr veten pas debaklit me rezultat 1:5 nga Liria e Prizrenit, në kuadër të ndeshjes së javës së fundit të Ligës së Parë të Kosovës.
Dinamo ka kompletuar stafin e trajnerëve pas largimit të Egzon Shabanit dhe synon të përgatitet maksimalisht për sfidën e barazhit me Lirinë e Prizrenit, duke synuar finalen dhe hyrjen në elitën e futbollit të Kosovës.
Dinamo ka zyrtarizuar trajnerët e rinj Burim Çerkinin dhe fatos Ademin.
“Në momentet më të rëndësishme, rikthehen njerëzit që zemrën e tyre ia kanë falur gjithmonë këtij klubi!
Për ndeshjen e barazhit këtë të premte, rikthehen dy emra që janë pjesë e historisë, sakrificës dhe shpirtit të FC Dinamo Ferizaj, Burim Çerkini dhe Fatos Ademi.
Edhe kur nuk kanë qenë zyrtarisht pjesë e stafit, ata kurrë nuk iu ndanë klubit. Kanë qenë gjithmonë pranë Dinamos, në ditët më të vështira dhe në momentet më të mëdha.
"Që nga dita e themelimit të klubit, ata kanë jetuar çdo emocion me këtë klub, çdo fitore, çdo dhimbje, çdo sakrificë dhe çdo hap drejt ëndrrës sonë kanë dhënë mundin dhe besimin e tyre për Dinamon dhe për qytetin tonë.
Sot, kur na pret beteja më e madhe e sezonit, rikthimi i tyre nuk është vetëm një përforcim, është rikthimi i shpirtit të Dinamos!
Të premten nuk luajmë vetëm për një ndeshje, luajmë për krenarinë, për qytetin dhe për historinë tonë.
Të bashkuar deri në fund!”, ka njoftuar Dinamo.