Nagelsman nuk rrezikon me kapitenin kundër Finlandës

Futboll

Nagelsman nuk rrezikon me kapitenin kundër Finlandës

Më: 28 maj 2026 Në ora: 15:03
Nagelsman

Manuel Nojer do të duhet të pres edhe pak për paraqitjen e tij të parë ndërkombëtare pas rikthimit në kombëtaren gjermane. Oliver Bauman do të jetë titullar në ndeshjen miqësore kundër Finlandës.

Ndeshja e parafundit miqësore e Gjermanisë para Kupës së Botës do të zhvillohet pa Manuel Nojer.

Portieri i rikthyer do të mungoj në sfidën e së dielës kundër Finlandës në Mainz për shkak të problemeve në pulpë.

Trajneri i kombëtares, Julian Nagelsman, e bëri të ditur këtë të mërkurën në konferencën e tij të parë për shtyp.

Në vend të Nojerit, i cili pritet të jetë portieri numër një në Kupën e Botës, portën e Gjermanisë do ta mbroj Oliver Bauman. Portieri titullar i Hofenhajmit së fundmi u detyrua të pranonte rolin e portierit të dytë, diçka që Nagelsman e përshkroi si një “goditje”. “Ne si staf trajnerësh vendosëm që ai të mos luaj të dielën dhe t’i japim edhe pak pushim,” tha trajneri për Nojerin. “Ishte vendimi ynë, ia komunikuam dhe ai ishte plotësisht dakord.”

Nëse Nojer do të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundit përgatitore kundër SHBA më 6 qershor, Nagelsman nuk dha ende një përgjigje të prerë.

“Do të shohim si do të shkoj java e ardhshme dhe më pas do të japim një përditësim për gjendjen e tij përpara ndeshjes me SHBA. Por për Finlandën, mendoj se nuk ka kuptim të luaj një ndeshje të tillë pa nevojë.” Nuk ka arsye për shqetësim për Nojerin. “Ai mund të luante kundër Finlandës.

Nëse e pyet atë, ai do të ishte gati të luante, kështu është karakteri i tij. Por kur ke një tendosje të lehtë muskulore, gjithmonë ekziston një rrezik i vogël,” shpjegoi Nagelsman. “Ne duam që ai të jetë në formën e tij më të mirë për fazën e grupeve.” Me 124 paraqitje me kombëtaren, Nojer renditet i pesti në historinë e Federatës Gjermane të Futbollit.

Ndeshja e tij e fundit ishte çerekfinalja kundër Spanjës në Euro 2024. Pas saj ai u tërhoq nga kombëtarja dhe disa muaj më vonë u nderua zyrtarisht së bashku me Toni Kros dhe Tomas Myler. Të mërkurën, në moshën 40 vjeçare, ai u rikthye për herë të parë në kombëtare.

“E pashë shumë mirë,” tha Nagelsman për rikthimin e Nojerit. “Ai i njeh të gjithë. Njeh stafin dhe lojtarët. Nuk është një lojtar i ri, por një lojtar që po rikthehet dhe kështu e mirëpritëm në grup.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat