Roma synon Greenwoodin pas rikthimit në Champions League

Futboll

Roma synon Greenwoodin pas rikthimit në Champions League

Më: 28 maj 2026 Në ora: 21:21
Mason Greenwood

Roma ka siguruar rikthimin në Champions League pas shtatë sezonesh mungesë dhe tashmë drejtuesit e klubit kanë nisur punën për përforcimet e merkatos së verës.

Mediat italiane raportojnë se verdhekuqtë po tregojnë interes serioz për sulmuesin e Olympique Marseille, Mason Greenwood.

Sipas raportimeve, përfaqësues të klubit italian kanë zhvilluar kontakte me agjentin dhe njerëzit pranë lojtarit, ndërsa Roma po e konsideron anglezin si një nga objektivat kryesorë për repartin ofensiv.

Greenwood shkëlqeu gjatë sezonit të fundit me Marseille, duke realizuar 26 gola dhe 11 asistime në 45 ndeshje, statistika që kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane. Megjithatë, Roma aktualisht shihet si skuadra më e interesuar për shërbimet e tij.

Klubi italian është gati të ofrojë deri në 55 milionë euro për transferimin e sulmuesit, ndërsa Marseille kërkon mbi 70 milionë euro për ta lënë të lirë lojtarin. Negociatat pritet të vazhdojnë në javët e ardhshme. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat