Ndeshja Kosovë–Kroaci, flasin trajneri dhe lojtaret

Futboll

Ndeshja Kosovë–Kroaci, flasin trajneri dhe lojtaret

Më: 4 qershor 2026 Në ora: 21:42
Kombëtarja e Kosovës e vajzave

Kombëtarja e Kosovës e vajzave në futboll në prag të ndeshjes me Kombëtaren e Kroacisë, e vlefshme për kualifikimin në Kupën e Botës 2027, ka mbajtur sot seancën stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Kosova bën pjesë në Grupin C2, ku aktualisht kryeson renditjen, e ndjekur nga Kroacia, Bullgaria dhe Gjibraltari.

Duke folur për KosovaPress, përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Sami Sermaxhaj theksoi se ndeshja ndaj Kroacisë është vendimtare për kualifikimin, duke shtuar se edhe një barazim mjafton. Ai u shpreh se ekipi është i përgatitur për sfidën dhe synon vazhdimin e rezultateve pozitive për të arritur objektivat.

Sami Sermaxhaj: Një rezultat barazim ne kualifikohemi tutje

“Na nevojitet një rezultat pozitiv me Kroacinë, një rezultat baraz ne kualifikohemi tutje, mirëpo jo vetëm një fitore, por ne kemi bërë katër fitore, por kjo me Kroacinë është më e rëndësishme edhe për atë arsye që nga fillimi kemi paraparë që konkurrenti ynë do të jetë Kroacia. Ne kemi bërë një rezultat pozitiv në Kroaci, mirëpo jam shumë i vetëdijshëm unë, stafi, vajzat, që nesër është një lojë e re, një sfidë e re dhe kemi marrë të gjitha masat e duhura që të vazhdojmë me këto rezultate që kemi pas deri tani dhe të realizojmë objektivat që kemi përpara, që është kualifikimi në Ligën B dhe pastaj të shohim edhe mundësinë për play-off në Kampionatin Botëror që mbahet në Brazil” – tha trajneri Sermaxhaj.

Kapitenia, Lumbardha Misini deklaroi se, pavarësisht se Kroacia është konsideruar favorite, skuadra ka besim të plotë në vetvete dhe është e gatshme për të marrë një rezultat pozitiv.

Lumbardha Misini: Jemi të gatshme për rezultat pozitiv

“E kemi ditë prej fillimit, domethënë para ndeshjes së parë, që Kroacia, të gjithë e kanë parë atë si favorite, por ne kemi shkuar atje me synimin e qartë si edhe me besimin e plotë që kemi me tregu një performancë shumë të mirë dhe të gjitha të bashkuara e kemi treguar, dhe tash e dimë që Kroacia nuk është një kombëtare kundërshtare e lehtë, e dimë që është shumë e fortë, por ne i kemi parë, kemi luajtur kundër tyre dhe besoj që jemi të gatshme për me marrë rezultat pozitiv”, tha Misini.

Lojtarja Donjeta Halili, bëri të ditur se kjo është ndeshja kryesore e grupit dhe se me angazhim maksimal beson që ekipi mund ta kalojë me sukses këtë sfidë dhe të sigurojë kualifikimin.

Donjeta Halili: Kjo është ndeshja kryesore e grupit

“Kjo është ndeshja po thuajse kryesore e grupit, pasi që ta kalojmë këtë lojë besojmë që të kualifikohemi. Kroacia ka një ekip pothuajse të barabartë, por me punë, angazhim, besoj që çdo lojë kalohet”, shtoi Halili.

Trajneri dhe lojtaret bënë të ditur se atmosfera në kampin e Kombëtares ka qenë pozitive, me futbollistet që kanë dhënë maksimumin në çdo stërvitje, gjithashtu bënë thirrje për përkrahje sa më të madhe në ndeshjen e nesërme, duke ftuar tifozët “Dardanët”, mediat dhe të gjithë dashamirët e futbollit që të jenë të pranishëm në stadium dhe të mbështesin ekipin në këtë sfidë shumë të rëndësishme.

Ndeshja mes Kosovës dhe Kroacisë do të zhvillohet më 5 qershor, në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 19:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat