Homazhet për ndarjen nga jeta të Fatjon Bunjakut, tifozët e Elbasanit mblidhen në stadium!
Klubi i Elbasanit ka organizuar gjatë ditës së sotme homazhe në kujtim të Fatjon Bunjakut, futbollistit të kësaj skuadre i cili humbi në mënyrë tragjike jetën pas një aksidenti automobilistik në Kosovë në moshën 22-vjeçare.
Verdheblutë gjatë pasdites organizuan homazhe ku ishin të pranishëm një numër i madh tifozësh të Elbasanit, por edhe qytetarë të cilët deshën të kujtonin kështu djaloshin i cili gjatë vitit të fundit kishte përfaqësuar ngjyrat e qytetit.
Mbështetësit e Elbasanit, pas homazheve të rastit, e përshëndetën në mënyrën e tyre futbollistin, me koret për të e më pas edhe me një xhiro simbolike të kortezhit në pistën e stadiumit “Elbasan Arena”.