Vardari i Shkupit është dënuar me 250 mijë euro për veprime të paligjshme në periudhën deri në vitin 2024.
“Siç informoi drejtori ekzekutiv i klubit, Milenko Nedelkovski, në konferencën e sotme me mediat maqedonase, kampioni aktual ka arritur marrëveshje me UEFA për një gjobë prej 250 mijë eurosh dhe monitorim të shtuar gjatë tre viteve të ardhshme, për shkak të veprimeve të paligjshme të administratës së mëparshme”, ka shkruar media maqedonase “Ekipa”.
“UEFA na hetoi për dhjetë muaj dhe arritëm marrëveshje që të paguajmë gjobë prej 250 mijë eurosh dhe të jemi nën monitorim të shtuar për tri vite, që të mos e përsërisim veprën, sepse nëse ndodh sërish do të na pezullojnë. Ka pasur kontabilitet të dyfishtë për sezonin 2023/24.
Ekziston kallëzim për dy lojtarë, Darko Glishiq dhe Martin Blazhevski, të cilët kanë pasur kontrata të dyfishta, si dhe pagesa të lojtarëve përmes kompanive të tjera”, deklaroi Nedelkovski.
Ai shtoi se drejtuesit aktualë nuk kishin dijeni për këto veprime.
“Ata kanë qenë shumë operativë, ne nuk e dinim se ekzistonte diçka e tillë dhe asgjë nuk ishte dorëzuar te klubi, nuk kishte asgjë te kontabilistët, ndërsa më vonë u shfaq një vulë e falsifikuar.
Rasti është raportuar në prokurori, e cila e ka kaluar te policia financiare që po ndjek personat përgjegjës. UEFA ka hyrë seriozisht në këtë çështje.
Dënimi më i rëndë lidhet me ato dy kontrata të dyfishta dhe gjithçka që përmendet në vendim është të paktën gjashtë muaj para ardhjes sime”, tha ai.
Nedelkovski foli edhe për pastrimin e borxheve të klubit.
“Deri tani borxhi ka qenë të paktën 10.5 milionë euro, ndërsa ne kemi shlyer gjashtë milionë euro.
Një vlerësim i përafërt është se vetëm interesat e borxheve do të arrijnë në një milion euro. Na duhen edhe dy vite për ta pastruar plotësisht, por nëse kemi sukses sportiv mund të ndodhë edhe më shpejt.
Bankat po shohin se dy vitet e fundit po punojmë shkëlqyeshëm, ndaj nuk kemi probleme me leasing, kredi e të tjera. Për vitin 2025 kemi edhe 700 mijë euro fitim bruto”, theksoi ai.
Klubi gjithashtu ka bërë të ditur se ka hapësirë për edhe një ose dy futbollistë të huaj, varësisht nga largimet eventuale. Disa lojtarë do të huazohen te klubet e Ligës së Dytë dhe të Parë, ndërsa në ekip ka 10 deri në 12 futbollistë të rinj.