Kane para ndeshjes me Kroacinë: Kjo është mundësia ime më e mirë për ta fituar Botërorin

Futboll

Kane para ndeshjes me Kroacinë: Kjo është mundësia ime më e mirë për ta fituar Botërorin

Nga: K.G. Më: 9 qershor 2026 Në ora: 22:01
Harry Kane

Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, beson se Kampionati Botëror i ardhshëm është mundësia më e madhe në karrierën e tij për të fituar Kampionatin Botëror.

Duke hyrë në Botërorin e tretë në formë të shkëlqyer fizike dhe me një bilanc mbresëlënës golash, sulmuesi është i vendosur ta fitojë trofeun më prestigjioz dhe ta vulosë statusin e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj anglezë të të gjitha kohërave, shkruan “Goal.com”.

Kane në turneun e shumëpritur vjen pas një sezoni fantastik me klubin. Në një intervistë për ITV Football, ai pranoi se futbolli është i paparashikueshëm, por shprehu besim të madh në gjendjen e tij aktuale fizike.

Ai theksoi se ardhja në garë në kulmin e formës i jep Anglisë një avantazh të rëndësishëm.

“Në futboll kurrë nuk e di çfarë mund të ndodhë, ndaj çdo turneu i qasesh sikur mund të jetë i fundit. Më njihni, dua të luaj edhe shumë e shumë vite. Ndihem në kulmin tim, kurrë nuk jam ndier më mirë,” deklaroi Kane.

Kapiteni anglez vazhdon të shënojë gola në nivelin më të lartë. Goli i tij i fundit në miqësoren kundër Zelandës së Re të shtunën e kaluar vendosi një tjetër rekord historik.

Ai e forcoi pozitën si golashënuesi më i mirë në historinë e Anglisë me 79 gola, duke kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm në të cilin ka realizuar 67 gola për klubin dhe kombëtaren.

Duke folur për ambiciet në Botëror, Kane tha:

“Duke parë formën në të cilën ndodhem dhe sezonin që kam pasur, kjo është ndoshta mundësia më e mirë që do ta kem ndonjëherë në karrierë për ta fituar Kupën e Botës.”

Anglia do të zhvillojë edhe një ndeshje miqësore kundër Kosta Rikës para se të fokusohet plotësisht në ndeshjet e grupit L në Botëror.

Kane dhe bashkëlojtarët e tij do ta nisin rrugëtimin në Kampionatin Botëror kundër Kroacisë më 17 qershor, më pas do të përballen me Ganën më 23 qershor dhe Panamën më 27 qershor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat