Zvicra sonte (21.00) do të ballafaqohet me Katarin, në ndeshjen e parë të xhiros së parë të Grupit B të Kampionatit Botëror në futboll.
Selektori i Zvicrës, Murat Yakin nuk ka zbuluar nëse do të paraqitet me tre apo katër mbrojtës.
Nëntë nga njëmbëdhjetë pozicionet në formacion duket se janë të sigurta, ndërsa kush do të luajë përfundimisht, Yakin do ta vendosë vetëm pak para ndeshjes.
”A do të luajë Murat Yakin në hapjen e Botërorit me tre apo katër mbrojtës?
A do të barazohet Ricardo Rodriguez me Granit Xhakën si rekordmen i paraqitjeve të Zvicrës në Botëror?
Dhe a do të përgatisë selektori i kombëtares një befasi si para dy vitesh në Evropian, në ndeshjen hapëse kundër Hungarisë?”, shkruan media zvicerane “Blick”.
“Kemi një skuadër me përvojë që mund të luajë në sisteme të ndryshme”, u përgjigj Yakin kur u pyet nëse do të luajë me tre apo katër mbrojtës.
Mbetet pyetja se kush do t’u bashkohet dy qendërmbrojtësve Manuel Akanji dhe Nico Elvedi. Ricardo Rodriguez së fundmi nuk ka qenë më i padiskutueshëm, por vështirë se Yakin do t’ia mohonte atij rekordin e paraqitjeve në Botëror.
“Ne e njohim Murin, ndonjëherë ai e provokon ndonjë lojtar që të japë edhe më shumë”, tha kapiteni Granit Xhaka, shoku më i mirë i Rodriguezit që nga ditët e ekipeve të të rinjve.
Pavarësisht kush luan, Yakin gjithmonë ka mundësi ta ndryshojë sistemin gjatë ndeshjes.
Edhe për kapitenin Xhaka, sistemi nuk është gjëja më e rëndësishme.
Për të, shumë më e rëndësishme është që skuadra të funksionojë si një unitet.
“Nëse kjo nuk funksionon, do të jetë e vështirë. Nëse funksionon, atëherë do të jetë e vështirë për kundërshtarin”.