Shqiptarët janë të diskriminuar në Maqedoninë e Veriut edhe sa i përket Kampionatit Botëror në futboll.
Nuk ka transmetim në gjuhën shqipe nga televizioni shtetëror i Maqedonisë, por sipas Berat Jakupit, ka transmetim në gjuhën maqedone. Jakupi ka treguar se RTVM janë marrë vesh me Arena Sport e Serbisë.
“Për më shumë se dy dekada, Kampionati Botëror në futboll është transmetuar në televizion kombëtar në vend, në servisin publik (RTVM) dhe televizione private, duke garantuar qasje të barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallim ekonomik apo social.
Të drejtat e transmetimit këtë vit i ka siguruar platforma Arena Sport e Serbisë, ndërsa si kompromis është siguruar komentim në gjuhën maqedonase për publikun maqedonas, duke mundësuar qasje në gjuhën e tyre.
Megjithatë, shqiptarët në këtë vend mbeten tërësisht të përjashtuar nga ky “kompromis institucional”. Nuk është siguruar as komentim në gjuhën shqipe dhe as qasje e barabartë gjuhësore, duke krijuar një diskriminim të qartë kulturor dhe gjuhësor në një ngjarje me interes publik.
Kjo situatë nuk është çështje teknike apo komerciale, por pasqyrë e qartë e mungesës së standardeve të barazisë në një shtet multietnik, ku gjuha shqipe vazhdon të mos trajtohet në mënyrë të barabartë në hapësirat publike më të rëndësishme.
Në vend të përfshirjes, shqiptarët sërish përballen me përjashtim. Në vend të barazisë, me standarde të dyfishta.
Kjo kërkon përgjegjësi institucionale dhe rishikim serioz të mënyrës se si garantohen të drejtat e barabarta në qasje ndaj përmbajtjes me interes publik”, ka reaguar Jakupi në profilin e tij në facebook.