Angli – Kroaci, do ta gjykojë arbitri francez

Futboll

Angli – Kroaci, do ta gjykojë arbitri francez

Nga: K.G. Më: 14 qershor 2026 Në ora: 16:17
Clement Turpin

Edhe tri ditë kanë mbetur deri te spektakli dhe ndeshja e parë e Kroacisë në Kampionatin Botëror.

Kundërshtari është një njohës i vjetër – Anglia – dhe pritet një duel i madh.

Anglezët kanë ardhur me një përbërje disi të papritur, pasi disa yje mungojnë, por ende posedojnë lojtarë shumë të rrezikshëm.

Për ta kompletuar spektaklin, tashmë dihet edhe kush do të ndajë drejtësinë – dhe për Kroacinë ka ardhur një lajm i mirë.

Ndeshjen do ta drejtojë arbitri francez Clement Turpin, ndërsa ndihmës të tij do të jenë bashkëkombësit e tij, Nicolas Danos dhe Benjamin Pages.

Turpin deri tani ka gjykuar katër herë ndeshjet e Kroacisë dhe në të gjitha “vatrenët” kanë triumfuar. Herën e parë ishte më 17 nëntor 2015 në një miqësore ndaj Rusisë, të cilën Kroacia e fitoi 3:1.

Më pas gjykoi ndeshjen kualifikuese për Euro 2020 ndaj Sllovakisë, ku kroatët fituan po ashtu 3:1.

Ndeshja e tretë që arbitroi francezi ishte kundër Sllovenisë në kualifikimet për Botërorin në Katar, me fitore bindëse 3:0 për Kroacinë. Takimi i fundit i Turpinit me kroatët ishte më 11 shtator 2023 në kualifikimet për Euro 2024, kur Kroacia triumfoi 1:0 ndaj Armenisë në transfertë.

Clément Turpin konsiderohet një nga arbitrat më të mirë evropianë. Kulmi i karrierës së tij erdhi në vitin 2022, kur ai drejtoi finalen e UEFA Champions League Final 2022 mes Real Madrid dhe Liverpool FC, të fituar 1:0 nga madrilenët.
Kroacia dhe Anglia do të përballen të mërkurën, duke nisur nga ora 22:00, në Dallas.

Ekipi i drejtuar nga Zlatko Daliç deri atëherë do të vazhdojë përgatitjet, me shpresën që tradita pozitive me Turpinin të vazhdojë edhe ndaj anglezëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat