Franca nis aventurën e saj në Kupën e Botës me një përballje të fortë ndaj Senegalit, sot në orën 21:00, një përballje plot kujtime historike që nga surpriza e vitit 2002, kur senegalezët befasuan duke eliminuar kampionët në fuqi.
Trajneri Didier Deschamps, i cili drejton “gjelat” prej 14 vitesh, ka tentuar të ulë presionin mbi skuadrën e tij, duke deklaruar se nuk e sheh Francën si favorite kryesore të turneut.
Pas një pyetjeje mbi gjendjen e ekipit, ai u shpreh se “favoriti i madh është Spanja”, duke theksuar se Franca ka shumë debutues dhe ende është në proces ndërtimi.
Megjithatë, Franca mbetet një nga skuadrat më të frikshme të kompeticionit, me një repart sulmues të jashtëzakonshëm ku spikasin Mbappé, Dembélé, Olise dhe Doué, të mbështetur nga emra si Barcola, Thuram, Cherki dhe Mateta në stol.
Deschamps po përpiqet të menaxhojë ekuilibrin mes talentit ofensiv dhe stabilitetit të ekipit, ndërsa thekson nevojën për më shumë dialog dhe menaxhim individual të lojtarëve në një skuadër të mbushur me yje.
Në qendër të vëmendjes mbetet Kylian Mbappé, i cili për arsye lodhjeje nga udhëtimet nuk mori pjesë në konferencën e parë për shtyp, duke lënë hapësirë për N’Golo Kanté.
Trajneri i “Gjelave” sqaroi se vendimi u mor për të shmangur lodhjen e kapitenit para debutimit.
Deschamps theksoi gjithashtu se Mbappé mbetet figura kryesore e skuadrës: “Kur ai flet, flet në emër të të gjithëve”, u shpreh trajneri.
Sulmuesi francez, që ka 12 gola në Botëror, vazhdon të ndjekë rekordin e legjendave si Messi, Ronaldo, Müller dhe Klose, ndërsa synon të udhëheqë Francën drejt një tjetër trofeu botëror.
Franca do të kërkojë të nisë me fitore ndaj Senegalit, në një ndeshje që pritet me interes të madh në fazën e grupeve.