Infantino: Projekti i ri ndihmon futbollin

Futboll

Infantino: Projekti i ri ndihmon futbollin

Më: 30 korrik 2026 Në ora: 12:35
Xhani Infantino

Tani nuk ka më dyshime. Presidenti i FIFA-s Xhani Infantino e ka pranuar planin për krijimin e një kompanie paralele për menaxhimin e eventeve sportive dhe çështjet e marketingut të institucionit më të lartë të futbollit botëror.

Ai thotë se diçka e tillë do të rriste ndjeshëm të ardhurat për futbollin, por konfirmon se për momentin është thjesht një propozim.

“FIFA Forward Enterprise është një propozim dhe një ofertë si pjesë e një procesi demokratik dhe një mundësi e mirë, por jo një detyrim.

Kemi nisur thjesht konsultimet për këtë projekt. Do të jetë një kompani që do të menaxhojë kompeticionet e FIFA-s bashkë me reklamat dhe të drejtat televizive”, tha Infantino.

Ai është i bindur se krijimi kësaj dege brenda FIFA-s do të rrisë të ardhurat dhe do të ndihmojë të gjitha federatat.

“Të ardhurat për federatat do të rriteshin nga 8 milionë dollarë në 20 milionë dollarë.

Është një mundësi për të shpalosur potencialin e futbollit në çdo cep të botës, me meshkujt, femrat dhe të rinjtë”, tha Infantino.

Pas krijimit të kësaj dege brenda FIFA-s, ky institucion ka të drejtë që të shesë një përqindje të vogël tek palët e treta që kanë shprehur dëshirën për t’u bërë pjesë e futbollit.

Për miratimin e saj duhet që të votojë pro shumica e 211 federatave anëtare të FIFA-s.

UEFA është kundër këtij projekti dhe u ka kërkuar federatave të saj një mbledhje urgjente për të mos pranuar kërkesën e FIFA-s.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat