Nga shkolla e futbollit Vigani deri te akademia e një prej klubeve me histori më të madhe në Ballkan.
Sulmuesi i ri nga Kosova, Nart Gashi (18 vjeç), edhe zyrtarisht është bërë pjesë e HNK Hajduk Split. Lajmi është konfirmuar ekskluzivisht nga vëllai i tij, gazetari sportiv Lorik Gashi.
Sipas burimeve të familjes, Narti ka firmosur kontratë dy-vjeçare me klubin kroat dhe do të jetë pjesë e akademisë së Hajdukut, si një nga futbollistët më të rinj që pranohet në këtë strukturë.
I lindur në vitin 2008, karrierën e nisi te ShF Vigani, më pas vazhdoi te Arsenal, ndërsa së fundmi ishte pjesë e ekipit të parë te Top Football në Ligën e Dytë të Kosovës.
Për suksesin, familja Gashi falënderon trajnerët që punuan me të: Abaz Kosumi, Fetah Veliu dhe Hetem Sogojeva, si dhe Albin Sahatqija, një nga ideatorët e transferimit në Split.
Hajduk Split nga Kroacia nuk është klub i rastësishëm. I themeluar në vitin 1911, sot është shoqata sportive më e madhe në Dalmaci dhe krahas Dinamos, më e madhja në Kroaci.
Akademia e tij e famshme "Luka Kaliterna" njihet si fabrika e talenteve - prej saj kanë dalë emra si Dejan Lovren dhe Ivan Rakitić dhe konsiderohet shtylla kurrizore e së ardhmes së klubit.
Për një djalosh 18-vjeçar nga Kosova, kalimi në Split është derë e hapur drejt futbollit elitar evropian, ashtu siç ndodhi edhe me talentë të tjerë si Mark Bushaj nga Gjakova që pak kohë më parë firmosi kontratë dy-vjeçare pas provave të suksesshme në Split.