Amorim ka ndryshuar vetëm dy titullarë mes ndeshjeve ndaj Torinos dhe Venecias. Nga Çukvueze, që duket i paprekshëm, te Moreira, që ende pret shansin e tij, ja si po formohen rotacionet e Milanit.
Cilët do të jenë titullarët e Milanit? Tifozët kanë mbetur disi të befasuar pas dy ndeshjeve të para, pasi disa zgjedhje kanë qenë surprizuese, ndërsa disa lojtarë të tjerë kanë përfunduar në stol në mënyrë të papritur. Për ata që kërkojnë një orientim, qoftë edhe për formacionet e fantazisë, tashmë ka disa sinjale të qarta. Ja si paraqiten hierarkitë e Milanit repart pas reparti.
Mbrojtja
Milan do të luajë dhe pritet të vazhdojë të luajë me skemën 3-4-2-1. Në mbrojtje, tre titullarët e parë janë Gila, De Uinter dhe Pavloviç. Gila është shndërruar menjëherë në liderin e repartit dhe, të paktën në letër, pritet të zhvillojë sezonin më të mirë mes tre mbrojtësve. Ndërkohë, Mateo Gabia synon të sfidojë De Uinter për vendin në qendër. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Gabia mund ta fitojë këtë duel.
Shpejtësia mund të jetë një problem për të, sidomos në një skuadër që, kur ka mundësi, luan me presing të lartë dhe lë shumë hapësira pas mbrojtjes. Sa i përket merkatos, në ditët e fundit nuk pritet të mbërrijë një tjetër përforcim në këtë repart. Në varësi të situatës, të paktën njëri mes Diavaras dhe Vladimirovit pritet të ketë hapësira.
Krahët
Për krahët, Amorim duket se ka në mendje dy çifte. Në të djathtë, Çukvueze dhe Diego Moreira janë alternativat më kreative, ndërsa në të majtë Bartesagi dhe Estupinjan ofrojnë më shumë ekuilibër. Aktualisht, në të djathtë komandon Çukvueze, ndërsa në të majtë hierarkia është thuajse 50 me 50. Dilema e madhe mbetet Çukvueze. Nigeriani duhet të tregojë se mund ta përballojë këtë rol si lojtar krahu në një sezon të plotë.
Të luash në gusht ndaj Venecias është një gjë, ndërsa të përballesh në dhjetor ose janar me Napolin, Komon, Fiorentinën apo Roma është diçka krejt tjetër. Alternativat nuk mungojnë. Moreira pritet të marrë gjithnjë e më shumë minuta, ndërsa Saelemakers, i cili nuk duket të jetë ndër të preferuarit e Amorimit, është gati të tregojë se mund të jetë i dobishëm. Belgu e njeh shumë mirë këtë rol dhe mund të luajë si në të djathtë, ashtu edhe në të majtë.
Mesfusha
Këtu fshihet surpriza më e madhe e fillimit të sezonit. Në verë, pritshmëritë ishin të qarta. Titullarë do të ishin Modriç dhe Rabiot, ndërsa Jashari do të ishte një alternativë e rëndësishme. Por realiteti ka qenë ndryshe. Titullari i vërtetë deri tani është Junus Musah. Amorim këmbënguli që amerikani të qëndronte në skuadër dhe i ka dhënë besim të plotë. Në dy ndeshjet ndaj Torinos dhe Venecias, Musah nuk ka dalë asnjë minutë nga fusha. Arsyeja është e qartë, ai mbulon shumë terren, ka forcë në depërtimet me topin në këmbë dhe i jep Milanit mundësinë të fitojë topin e të nisë menjëherë kundërsulmin.
Për më tepër, Musah është në gjendje të mirë fizike dhe po luan me shumë besim. Por situata mund të ndryshojë shpejt. Jashari e ka nisur mirë dhe, mbi të gjitha, Adrien Rabiot është gati të rikthehet në formacionin titullar. Duke parë kundërshtarin e radhës, Juve, është logjike të pritet që francezi të jetë në fushë. A do të luajë si trekuartist? Po, por jo vetëm. Në disa ndeshje mund të pozicionohet në një nga dy vendet e mesfushës, ndërsa edhe Komoto pritet të ketë minutat e tij.
Sulmi
Në qendër të sulmit nuk ka dilema, numri 9 është Gonçalo Ramos.
Kur portugezi të mos jetë në dispozicion ose të ketë nevojë për pushim, alternativa kryesore do të jetë Françesko Kamarda. Pyetja e madhe është se cilët do të jenë dy lojtarët pas sulmuesit. Hierarkia aktuale është e qartë, Rabiot dhe Pulisiç janë zgjedhjet e para të Amorimit. Asnjëri nuk është ende në 100% të formës. Madje, Pulisiç ende nuk ka luajtur, por sapo të jetë plotësisht i gatshëm, amerikani pritet të jetë një nga pikat kryesore të skuadrës. Loftus-Çik, që nuk ka bindur në dy ndeshjet e para, nuk duket se mund ta mbajë gjatë vendin e titullarit.
Madje, që ndaj Juventusit pozita e tij është seriozisht në rrezik.
Ndërkohë, Alfadjo Cise është një nga surprizat më të bukura dhe një alternativë reale, por ende jo një nga 11 titullarët e parë.
Në këtë repart do të ketë shumë lëvizje, jo vetëm nga ndeshja në ndeshje, por edhe brenda të njëjtit 90-minutësh.
Për Amorimin, kjo është zona ku konkurrenca është më e madhe. Hutçinson pritet të ketë një rol të rëndësishëm, ndërsa Saelemakers duhet të luajë pjesën më të madhe të minutave të tij në këtë pozicion. Edhe Diego Moreira, herët apo vonë, do ta marrë mundësinë e tij. Në sulmin e Milanit ka shumë trafik. Dhe hierarkitë, ndonëse tashmë kanë nisur të marrin formë, mund të ndryshojnë shumë shpejt.