Chido Obi mund të largohet në huazim drejt Holandës

Futboll

Chido Obi mund të largohet në huazim drejt Holandës

Më: 2 shtator 2026 Në ora: 20:08
Chido Obi

Manchester United mund ta mbyllë afatin kalimtar me edhe një largim, pasi sulmuesi i ri Chido Obi raportohet se është në bisedime për një huazim te Willem II.

Afati kalimtar në Holandë mbetet i hapur deri të mërkurën vonë në mbrëmje, çka i jep klubit nga Eredivisie edhe pak kohë për ta finalizuar marrëveshjen për talentin e “Djajve të Kuq”.

Willem II shtyn për marrëveshjen e fundit

Edhe pse dita e fundit e merkatos kaloi relativisht qetë në “Old Trafford”, United mund të aprovojë ende një largim.

Sipas “The Athletic”, Willem II po punon konkretisht për ta marrë në huazim sulmuesin 18-vjeçar Chido Obi para se afati kalimtar në Eredivisie të mbyllet të mërkurën në orën 23:59.

Manchester United investoi ndjeshëm gjatë verës, duke afruar lojtarë si Carlos Baleba, Andrey Santos dhe Youri Tielemans.

Megjithatë, trajneri Michael Carrick vendosi të mos realizonte transferime të tjera në ditën e fundit, gjë që zhgënjeu një pjesë të tifozëve që prisnin përforcime të tjera në mbrojtje dhe sulm.

Tashmë vëmendja është zhvendosur te huazimet e lojtarëve të rinj.

Sipas raportimeve, Willem II ka paraqitur një ofertë zyrtare për Obi, me synimin që reprezentuesi i Danimarkës U21 të ketë mundësi të luajë rregullisht me ekipin e parë.

Eredivisie shihet si destinacion ideal për zhvillimin e tij

“Voetbal International” raporton se Willem II e konsideron Obin një talent të madh, i cili mund të ketë ndikim të menjëhershëm në Tilburg.

Madje, mediat holandeze kanë bërë edhe krahasime me rrugëtimin e Alexander Isak.

Sulmuesi suedez kishte kaluar më parë një periudhë shumë të suksesshme në huazim te Willem II, eksperiencë që i shërbeu si trampolinë për karrierën e tij në nivelet më të larta.

Një skenar i tillë konsiderohet tërheqës edhe për Obin dhe përfaqësuesit e tij.

Interesimi për 18-vjeçarin ka qenë i madh gjatë gjithë verës.

Feyenoord kishte shqyrtuar më herët mundësinë e transferimit të ish-futbollistit të akademisë së Arsenalit, por Willem II tashmë konsiderohet favoriti kryesor për ta siguruar atë.

Obi ka nevojë për minuta në futbollin profesionist

Chido Obi tashmë ka provuar futbollin e ekipit të parë në Manchester United, pasi zhvilloi tetë paraqitje nën drejtimin e ish-trajnerit Ruben Amorim.

Megjithatë, vlerësimi brenda klubit ishte se ai ishte futur paksa herët në futbollin e nivelit të lartë, ndaj më pas u rikthye te skuadrat e të rinjve.

Reprezentuesi i të rinjve të Danimarkës reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ai realizoi 20 gola në 37 ndeshje për ekipet U18 dhe U21 të Manchester Unitedit gjatë sezonit të kaluar.

Pasi ka dëshmuar aftësitë e tij si golashënues në nivel akademie, një huazim në një kampionat profesionist tani shihet si hapi i nevojshëm për zhvillimin e mëtejshëm të karrierës së tij.

Me afrimin e afatit të fundit të merkatos në Holandë, Manchester United dhe Willem II duhet të veprojnë shpejt për ta përfunduar dokumentacionin.

Nëse marrëveshja realizohet, Obi do të synojë të sigurojë minuta të rregullta në Eredivisie dhe të zhvillohet mjaftueshëm për të luftuar në të ardhmen për një vend në planet afatgjata të Michael Carrickut në “Old Trafford”. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat