Sulmuesi Albian Ajeti i siguroi një pikë Luganos, liderit të kampionatit zviceran, në përballjen direkte me Young Boys, duke shënuar golin e barazimit (2:2) në minutën e 80-të.
“Ai synon të rigjejë pasionin për lojën në Ticino, pasi kishte humbur vendin në formacion nën drejtimin e Stephan Lichtsteinerit te Baseli.
Aktualisht, Ajeti po luan rolin e një zëvendësuesi vendimtar te Luganos, ndërsa te FC Baseli nuk aktivizohej fare.
Ajeti dhe Stephan Lichtsteiner nuk kishin raporte të mira”, ka shkruar mediumi zviceran “Blick”.
Transferimi i Ajetit ka rezultuar tashmë i suksesshëm për klubin nga Ticino.
Pasi shënoi golin e fitores 1:0 në minutën e 90+4 të debutimit të tij kundër Servette-s, sulmuesi gjeti sërish rrjetën ndaj Young Boys, goli i tij në minutën e 80-të bëri që Lugano të ruante një avantazh prej 3 pikësh ndaj ekipit të Bernës. "Donim të fitonim, por e pranojmë pikën, edhe pse ishim skuadra më e mirë", - tha Ajeti.
Në tri paraqitjet e tij si zëvendësues, Ajeti u ka siguruar tashmë 4 pikë liderëve të kampionatit, një bilanc i shkëlqyer. "Edhe pse sigurisht më duhet ende të përmirësoj pak formën fizike, jam gati dhe i uritur për sukses.
A do të rezultojë ai si pjesa që mungonte në mozaikun për titullin kampion? Ajeti qesh.
"Pas shtatë javësh, nuk mund të thuash ende se kush është favoriti për titull. Por për Luganon, kjo është një kompliment dhe një burim motivimi".
Megjithatë, për momentin, fokusi është te fitorja në ndeshjen e radhës në shtëpi, të mërkurën kundër St. Gallen-it. "Sezoni është ende i gjatë; ka ende shumë javë me ndeshje të mesjavës përpara".
Ajeti ka luajtur 73 minuta në tri ndeshje për Luganon (pa llogaritur kohën shtesë), tashmë më shumë se dyfishi i kohës së lojës që regjistroi në gjashtë ndeshje me FC Baselin.
Së fundmi, Lichtsteiner e kishte lënë edhe jashtë skuadrës.
Tani Lichtsteineri nuk është më në Basel. Ajeti nuk dëshiron të flasë drejtpërdrejt për këtë, por deklarata e tij është domethënëse:
"I uroj klubit, veçanërisht tifozëve dhe ish-shokëve të mi të skuadrës, gjithë të mirat. Dhe Luigi-t [Nocetini, trajneri i përkohshëm] i uroj fat për të dielën". Ai nuk e përmend fare Lichtsteiner-in.