Elseid Hysaj është ende në pritje të një kontrate të re, pasi është pa skuadër që në korrik, kur mbylli marrëveshjen me Lacion. Dhe deri tani, duket se futbollisti i Kombëtares shqiptare ka refuzuar disa oferta.
E para ishte nga Leçe, me të cilën nuk gjeti një akord financiar që në ditët e para të korrikut. Më pas kishte interes nga klube, pa një ofertë konkrete. Një e tillë i erdhi nga Egnatia, e cila i ofroi mundësinë të nënshkruante me rrogë vjetore për rreth 500 mijë euro në vit, por mbrojtësi përsëri tha “jo”.
Sipas gazetarit të njohur italian, Lorenzo Lepore, përgjigje negative së fundmi ka ardhur edhe ndaj Askolit të Serisë B, një prej klubeve që ka synim ngjitjen në Serinë A në sezonin e ardhshëm.
“Askoli i ka dërguar një ofertë, e cila u refuzua nga lojtari për arsye ekonomike. Por ai mbetet i hapur ndaj transferimit”, theksonte gazetari italian.
Ndërkohë, Hysaj raportohet po nga mediat italiane se është në pritje të një transferimi në Rusi, pasi skuadra të ndryshme atje i kanë bërë ofertë futbollistit, i cili do të transferohej si lojtar i lirë.