U mendua se nisja e sezonit të ri do t’i shihte dy ekipet e kryeqytetit me një standard të ri dhe ambicie për të kapur vendet e para të renditjes. Me emërimin në stol të dy trajnerëve të huaj, Dean Klafuriç te Tirana dhe Florin Bratu te Partizanit, u krijua ideja se forma e dobët ishte hedhur pas krahëve dhe se me edicionin e ri gjërat do të ndryshonin.
Mirëpo, katër javë kanë mjaftuar që të dyjave t’u pikojë sërish “çatia”. Tirana “ngeci” sërish në Korçë përballë Skënderbeut, 1-1, ndërsa Partizani u mposht në derbi nga Dinamo, 2-4. Sa i takon renditjes, të dyja ndajnë të njëjtën kuotë pikësh, 4 për kokë, edhe pse Tirana ndodhet një pozitë më lart për shkak edhe të golavarazhit.
Megjithatë, ajo çfarë e bën akoma dhe më shqetësuese vazhdimësinë e të dyja skuadrave janë problemet që duhen zgjidhur brenda ekipit. Mbrojtja mbetet “thembra e akilit” në të dyja kampet, ndërsa sulmi jo shpesh kalon “klasën”.
Numri i golave të shënuar është më i ulët krahasuar me ato që janë pësuar dhe për rrjedhojë, dy trajnerëve u mbetet të korrigjojnë çfarë është gabuar dhe të nisen me objektivin për të mos lëshuar më “pe”, përpara se distanca me vendet e kreut, së paku ato të Europës, mos të zgjatet akoma dhe më shumë.