Sot do të zhvillohet një ndeshje e javës së tetë të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut. Kampioni Vardari do të presë surprizën më të këndshme të deritanishme të sezonit, Shkëndijën e Haraçinës.
Ndeshja do të zhvillohet në kompleksin e FFM-së, duke filluar nga ora 20:00.
Vardari është aktualisht në një seri prej katër ndeshjesh pa humbje, me dy fitore dhe dy barazime. Për ndeshjen e sotme, skuadra “kuq e zi” synon vetëm fitoren.
Mbrojtësi Mihail Manevski deklaroi:
“Vardari është kampioni aktual dhe ne gjithmonë mendojmë vetëm për fitore. Kështu është edhe para ndeshjes së sotme kundër Shkëndijës së Haraçinës.
Ata janë në një ritëm të shkëlqyer dhe kanë regjistruar disa fitore radhazi. Kjo është edhe një motiv më shumë për ne që të jemi maksimalisht të përgatitur dhe t'i qasemi kësaj ndeshjeje me vëmendjen e duhur. Jemi të gatshëm për një përballje të fortë dhe i dëshirojmë tri pikët”.
Shkëndija e Haraçinës e ka nisur shumë mirë sezonin. Aktualisht ndodhet në vendin e katërt, me 13 pikë, dy më shumë se Vardari.
Skuadra mysafire hyn në këtë ndeshje pas katër fitoreve radhazi në të gjitha garat, tri në kampionat dhe një në Kupën e Maqedonisë.
Kapiteni Besir Demiri theksoi se ekipi e respekton Vardarin deri në fillimin e ndeshjes, por në fushë do të kërkojë fitoren:
“Kjo është një ndeshje si çdo tjetër dhe sjell tri pikë po aq të vlefshme. Jemi në një formë të shkëlqyer, me katër fitore radhazi në Ligën e Parë dhe Kupë.
E respektojmë kundërshtarin deri në fillimin e ndeshjes, por në fushë hyjmë pa asnjë respekt, shkojmë vetëm për fitore për ta vazhduar serinë pozitive dhe për t'i gëzuar tifozët tanë besnikë”.