Legjenda e Romës dhe Italisë, Francesco Totti, ka zbuluar se dy klube të Serie A-së tentuan ta bindnin të rikthehej nga pensioni në vitin 2024, kur ai ishte 48-vjeç.
Totti ka treguar në biografinë e tij se Genoa dhe Como ishin klubet që i ofruan mundësinë për t’u rikthyer në futbollin profesionist, shtatë vjet pasi kishte luajtur ndeshjen e fundit me Romën.
“I thashë jo Genoas dhe Comos kur isha 48 vjeç”, ka shkruar Totti, duke zbuluar për herë të parë emrat e dy klubeve që e kishin kontaktuar.
Në atë kohë, Genoa drejtohej nga Alberto Gilardino, ndërsa Como kishte Cesc Fabregasin në stol. Totti ka treguar se drejtuesit e Genoas ishin seriozë në ofertën e tyre dhe se Gilardino e kontaktonte herë pas here për ta pyetur nëse kishte marrë një vendim.
“Mendja ime më thoshte se mund ta pranoja, por zemra ime thoshte jo”, ka rrëfyer Totti.
Ish-kapiteni i Romës ka pranuar se ideja për të luajtur sërish e tundonte, por një pyetje e pengonte vazhdimisht: “A mund të luash vërtet për një ekip që nuk është Roma?”
Totti u pensionua në vitin 2017, pasi të gjithë karrierën e tij si futbollist e kaloi te Roma. Për klubin kryeqytetas italian ai realizoi 307 gola në 786 paraqitje, ndërsa me Italinë fitoi Kupën e Botës në vitin 2006.