Ndeshja e së enjtes në Prishtinë mes Kosovës dhe Republikës së Irlandës do të jetë përballja e parë në histori mes dy kombëtareve në nivelin e seniorëve, ka shkruar media irlandeze “Irish Times”.
“Pas kësaj ndeshjeje, Irlanda do të ketë luajtur ndaj 53 prej 54 kombëtareve të tjera të UEFA-s. Vetëm njëra do t’i mungojë listës: Sllovenia:, ka shkruar media irlandeze.
Sipas artikullit, pesë vite më parë Irlanda kishte katër kombëtare evropiane me të cilat nuk ishte përballur kurrë: Kosovën, Azerbajxhanin, Ukrainën dhe Slloveninë.
Azerbajxhani u hoq nga lista pas ndeshjeve kualifikuese për Botërorin në vitin 2021.
Ukraina u hoq nga lista pas ndeshjeve të Nations League në vitin 2022.
Kosova do të përballet për herë të parë me Irlandën në nivel seniorësh të enjten.
Sllovenia mbetet e vetmja kombëtare e UEFA-s që Irlanda nuk e ka takuar ende në futbollin e meshkujve.
Kombëtarja me të cilën Irlanda është përballur më së shumti ndër vite, Polonia – 28 ndeshje, që nga viti 1938.
Spanja renditet e dyta, Holanda e treta, ndërsa Danimarka, Franca, Anglia dhe Norvegjia janë në vendin e katërt me numër të barabartë përballjesh.