Andy Robertson ka folur hapur për periudhën jashtëzakonisht të vështirë që kaloi Liverpooli pas vdekjes tragjike të Diogo Jotës, duke vlerësuar veçanërisht mënyrën se si trajneri Arne Slot e menaxhoi skuadrën në ato momente.
Mbrojtësi, i cili tashmë është transferuar te Tottenham Hotspur, tregoi në emisionin The Overlap se humbja e Jotës pati një ndikim të jashtëzakonshëm emocional te lojtarët e Liverpoolit.
“Sezonin e kaluar humbëm zjarrin dhe besimin. Mendonim: çfarë rëndësie ka në fund? Kur shihje se çfarë po kalonte familja e Diogos, kur shihje fëmijët e tij… Ne ishim në zi, sepse ai ishte miku ynë”, deklaroi Robertson.
Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, i cili fitoi dy herë titullin kampion dhe ngriti trofeun e Ligës së Kampionëve me klubin, tha se edhe përforcimet e reja u gjendën në një situatë tepër të vështirë.
Liverpooli kishte investuar shuma të mëdha për lojtarë si Florian Wirtz, Hugo Ekitike dhe Alexander Isak, por sipas Robertsonit, në atë periudhë futbolli kishte kaluar në plan të dytë.
“Ndjehem fajtor ndaj lojtarëve të rinj. Ata erdhën në një klub që e kishte zemrën të thyer. Bënë transferime të mëdha për të ardhur te Liverpooli, por iu deshën muaj për ta gjetur vendin e tyre, sepse në atë moment ne thjesht nuk e kishim mendjen te futbolli. Kjo ishte e vërteta”, tha ai.
“Një javë më parë isha në dasmën e tij”
Robertson kishte një marrëdhënie shumë të afërt me Jotën dhe kujtoi se vetëm një javë para vdekjes së tij kishte qenë i pranishëm në dasmën e portugezit.
“Një javë para se të vdiste, isha në dasmën e tij. Është një nga gjërat më të vështira që mund të përjetosh: ta shohësh në ditën më të lumtur të jetës së tij dhe më pas, një javë më vonë, ta shohësh familjen e tij të shkatërruar”, rrëfeu Robertson.Sipas skocezit, Arne Slot tregoi shumë mirëkuptim ndaj gjendjes emocionale të skuadrës dhe nuk i detyroi lojtarët të stërviteshin nëse nuk ndiheshin gati.
“Folëm shumë. Trajneri ishte vërtet shumë i mirë. Parasezoni ynë nuk ishte në të vërtetë një parasezon normal, sepse Arne na tha: nëse nuk dëshironi të stërviteni, atëherë mos u stërvitni. Ky ishte qëndrimi i tij”, tregoi Robertson.
Liverpooli kishte në dispozicion edhe një psikolog të klubit, i cili organizonte grupe të vogla ku lojtarët mund të takoheshin dhe të flisnin hapur për atë që po përjetonin.
“Kishim një psikolog që tashmë punonte në klub. Ai organizoi grupe ku mund të pinim një kafe dhe të bisedonim për një kohë. E bëmë këtë mjaft shpesh dhe mendoj se na ndihmoi shumë”, përfundoi Robertson..