​A e dini se Irlanda refuzoi të luante kundër Jugosllavisë më 1999 për shkak të luftës në Kosovë?

Futboll

​A e dini se Irlanda refuzoi të luante kundër Jugosllavisë më 1999 për shkak të luftës në Kosovë?

Më: 23 shtator 2026 Në ora: 19:08
Fotoilustrim

Kosova dhe Irlanda përballen, të enjten e 24 shtatorit, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen e parë të sezonit të ri të Ligës së Kombeve.

Takimi rikthen në vëmendje një vendim “të guximshëm“ të qeverisë irlandeze gjatë luftës së Kosovës: në vitin 1999, ajo refuzoi t’u jepte viza futbollistëve të Jugosllavisë për një ndeshje në Dublin.

Irlanda duhej ta priste Jugosllavinë më 5 qershor 1999, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2000. Futbollistët jugosllavë pritej të udhëtonin drejt Dublinit 2 ditë më parë. Por, më 2 qershor, qeveria irlandeze njoftoi se nuk do t’u jepte viza.

KosovaPress ka gjetur se sipas raportimit të RTE-së (trasmetuesit publik irlandez) të asaj dite, qeveria ishte e bindur se ndeshja nuk duhej të zhvillohej, duke pasur parasysh «situatën e papranueshme në Kosovë».

Vendimi erdhi pasi UEFA kishte refuzuar kërkesën irlandeze për shtyrjen ose anulimin e takimit. Një delegacion i saj i kishte thënë ministrit irlandez të Sportit, Jim McDaid, se nuk kishte bazë ligjore për ta pranuar kërkesën. Kryeministri i atëhershëm, Bertie Ahern, kishte deklaruar në parlament se, nëse UEFA nuk merrte vendim, do të vepronte qeveria.

Një ditë më vonë, BBC raportoi se refuzimi i vizave e kishte bërë të pamundur zhvillimin e ndeshjes sipas planit, transmeton KosovaPress. UEFA pranoi se takimi «nuk mund të zhvillohej», por kërkoi që Bashkimi Evropian të sqaronte nëse qëndrimi i Irlandës për lidhjet sportive me Jugosllavinë vlente edhe për vendet e tjera anëtare.

Vendimi mund të kishte pasoja për kombëtaren irlandeze. Sipas BBC-së, UEFA kishte paralajmëruar se Irlanda mund të përjashtohej nga garat kualifikuese të Euro 2000. Shoqata e Futbollit e Irlandës theksonte se refuzimi i vizave ishte vendim i qeverisë. Drejtuesi i saj, Bernard O’Byrne, deklaronte se shoqata kishte kërkuar shtyrjen e ndeshjes, por UEFA nuk e kishte marrë atë vendim.

BBC shkruante gjithashtu se futbollistët irlandezë nuk dëshironin të luanin, duke pasur parasysh zhvillimet në Ballkan. Qeveria kishte marrë parasysh edhe qëndrimin e opinionit publik.

Në deklaratën e cituar nga BBC, Ahern e arsyetonte vendimin me «veprimet e paligjshme dhe të tmerrshme të regjimit jugosllav kundër popullit të Kosovës». Ai përmendte situatën në Kosovë dhe aktakuzat e Tribunalit Ndërkombëtar ndaj autoriteteve të Republikës Federale të Jugosllavisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat