Holanda i beson Xavit për rikthimin e filozofisë tradicionale të futbollit

Futboll

Holanda i beson Xavit për rikthimin e filozofisë tradicionale të futbollit

Më: 23 shtator 2026 Në ora: 19:30
Xavi Hernandez

Holanda ka vendosur t’i rikthehet rrënjëve. Për ta bërë këtë, kombëtarja holandeze i ka besuar një spanjolli: Xavi Hernandez, ish-mesfushori dhe trajneri i Barcelonës, është emëruar në krye të ekipit kombëtar, duke u bërë trajneri i parë i huaj i Holandës që nga viti 1978.

Zgjedhja e Xavit nuk është e rastësishme. Holanda kërkon të rikthejë një stil loje që për dekada është lidhur me identitetin e saj: posedim të topit, lojë sulmuese, presing dhe kontroll të ndeshjes.

Xavi u formua që në akademinë e Barcelonës, La Masia, ku u edukua me parimet e lojës së bazuar në posedim, pozicionim dhe kontroll.

Këto ide kanë rrënjë të forta te Johan Cruyff, i cili ndryshoi filozofinë e Barcelonës dhe la një trashëgimi që vazhdoi te brezat e ardhshëm.

Pep Guardiola u ndikua fuqishëm nga Cruyff. Vetë Guardiola ka thënë se pa Cruyff nuk do të ishte trajneri që u bë.

Xavi, nga ana tjetër, pati mundësinë ta përjetonte këtë filozofi nga afër nën drejtimin e Guardiolës.

Të dy punuan së bashku te Barcelona dhe mesfushori spanjoll u bë një prej figurave kryesore të ekipit që ndërtoi lojën rreth posedimit dhe lëvizjes së topit.

Xavi më vonë e ka përshkruar filozofinë e tij si një vazhdim të stilit të zhvilluar nën ndikimin e Johan Cruyff dhe La Masias, me theks te marrja e iniciativës dhe futbolli i bazuar në posedim.

Sipas Reuters, vitet e fundit pati kritika ndaj qasjeve të Ronald Koeman dhe Louis van Gaal, të cilët u akuzuan se ishin larguar nga disa prej vlerave tradicionale të futbollit holandez dhe kishin përdorur më shumë kundërsulmin si armë taktike.

Tani Holanda kërkon një ndryshim perspektive përmes Xavit.

“Bëhet fjalë për mënyrën se si ne në Holandë duam të luajmë futboll”, ka thënë Nigel de Jong, drejtori teknik i federatës holandeze, i cili ishte pjesë e procesit që solli Xavin në stol.

“Do të thotë të luajmë në mënyrë dominuese dhe tërheqëse. Dominimi nuk do të thotë gjithmonë të luash futboll sulmues; duam të jemi dominues edhe në mbrojtje”, shtoi De Jong.

Xavi, i cili si futbollist fitoi Kupën e Botës në vitin 2010 dhe dy Kampionate Evropiane me Spanjën, e ka ndërtuar filozofinë e tij rreth pesë elementeve: posedimit, pozicionimit, presingut, perceptimit dhe pasionit.

“Ke nevojë për posedimin për ta fituar ndeshjen. Ke nevojë për pozicionet e duhura. Kur e humb topin, duhet të bësh presing. Dhe duhet të kesh perceptimin për të kuptuar çfarë po ndodh rreth teje dhe për ta kuptuar lojën. Por pa pasion, nuk mund të luash futboll”, tha Xavi.

Në këtë mënyrë, emërimi i tij nuk është thjesht një zgjedhje për një trajner të ri. Holanda po i beson një trajneri që është formuar nga një prej degëve më të rëndësishme të së njëjtës pemë futbolli që ajo vetë ndihmoi të krijohej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat