Rafael Leao mbërriti te Galatasaray si një përforcim i madh, por fillimi i tij në klubin turk është shumë larg pritshmërive.
Ish-lojtari i Milanit tashmë është bërë objekt kritikash nga tifozët për paraqitjet e dobëta, duke rikujtuar problemet që kishte edhe në Itali.
Portugezi kaloi gjatë verës në Stamboll për rreth 38 milionë euro, por ndeshjet e para nuk e kanë justifikuar investimin e madh.
Trajneri Okan Buruk i ka dhënë mundësi të luajë në katër ndeshje, tri në kampionat dhe një në Ligën e Kampionëve.
Leao ka luajtur gjithsej 230 minuta, ndërsa dy herë ka qenë në formacionin titullar.
Megjithatë, ende nuk ka shënuar as gol dhe as asistim. I vetmi regjistrim statistikor personal është një karton i verdhë.
Në Turqi, kritika kryesore ndaj tij është e njëjtë me atë që i bëhej edhe te Milani, gjuha e trupit që, sipas kritikëve, tregon mungesë angazhimi, si dhe ngadalësia që nuk përshtatet me intensitetin e lojës.
Kritikat u shtuan pas humbjes së thellë 4:0 ndaj Trabzonsporit, në një ndeshje ku shkëlqeu Mohamed Salah, i cili shënoi tre gola.
Pas asaj ndeshjeje filloi të përhapej në internet një video me këngën “Salako”. Ky është titulli i një filmi turk të vitit 1974, i cili paraqet një personazh naiv dhe të hutuar.
Statistikat e Leaos nga ajo ndeshje tregojnë një prej problemeve të tij, pati 65 prekje të topit, por e humbi atë plot 21 herë.
Nga katër goditjet e tij, asnjë nuk shkoi në kuadrat, ndërsa realizoi vetëm 27 pasime të sakta nga 38 tentativa.
Të humbësh topin 21 herë dhe, në të njëjtën kohë, të krijosh përshtypjen se nuk je i angazhuar në lojë është një mënyrë e sigurt për t'i kthyer tifozët kundër vetes.
Leao iu bashkua Galatasarayt pas negociatave të gjata gjatë verës. Klubi turk i pagoi Milanit 38 milionë euro dhe i siguroi gjithashtu Milanit 20% të një transferimi të ardhshëm të lojtarit.
Leaos i është garantuar një pagë prej 10 milionë eurosh neto për sezon.
Edhe pse u transferua si një yll me famë botërore, portugezi do të ketë gjatë pushimit të ardhshëm të kombëtareve mundësinë për të gjetur formën dhe vetëbesimin, në mënyrë që të dëshmojë se mund të jetë lojtar kyç për ekipin.
Durimi i tifozëve në Stamboll tashmë po mbaron.