114 akuza kundër Cityt, klubi apelon – çfarë pritet të ndodhë me trofetë dhe të ardhmen e kampionëve

Futboll

114 akuza kundër Cityt, klubi apelon – çfarë pritet të ndodhë me trofetë dhe të ardhmen e kampionëve

Më: 27 shtator 2026 Në ora: 13:33
Fotoilustrim

Çështja e shumëpërfolur financiare ndaj Manchester Cityt ka hyrë në një fazë të re, pasi raportimet e fundit në Angli bëjnë të ditur se tribunali i pavarur ka gjetur klubin përgjegjës për pothuajse të gjitha akuzat e ngritura nga Premier League.

Sipas raportimeve të mediave britanike, City është gjetur fajtor për 114 nga 115 akuzat e raportuara.

Megjithatë, Premier League ende nuk ka publikuar vendimin e plotë, ndërsa klubi insiston se procesi nuk ka përfunduar.

Pas këtyre raportimeve ka reaguar edhe kryetari i Manchester Cityt, Khaldoon Al Mubarak, i cili u është drejtuar tifozëve dhe ka bërë të qartë se qëndrimi i klubit nuk ka ndryshuar.

“Besimi dhe vendosmëria jonë për të provuar pafajësinë e klubit janë po aq të forta sa kur filloi kjo çështje”, ka thënë Al Mubarak.

City pritet ta kundërshtojë vendimin përmes procedurës së apelimit.

Sipas rregullave të Premier League, palët kanë një afat prej 14 ditësh për të apeluar pas njoftimit të vendimit, ndërsa procesi i apelimit zhvillohet veçmas nga përcaktimi i dënimit.

Akuzat lidhen me pretendime për shkelje të rregullave financiare gjatë viteve të kaluara dhe përfshijnë periudha që shtrihen nga viti 2009 e tutje.

Dënimet e mundshme për Manchester Cityn mund të nisin nga një gjobë financiare dhe zbritja e pikëve, deri te masa shumë më të rënda, përfshirë edhe përjashtimin nga Premier League. Relegimi për shkelje financiare është shumë i rrallë, por rregullat e lejojnë. Në vitet e fundit, Evertoni dhe Nottingham Foresti janë dënuar me zbritje pikësh për shkelje të rregullave financiare, ndërsa City përballet me një çështje shumë më të gjerë që përfshin 115 akuza.

Për momentin, nuk ka ende një dënim përfundimtar të shpallur ndaj Manchester Cityt. Nëse vendimi konfirmohet pas apelimit, atëherë do të përcaktohen edhe masat disiplinore ndaj klubit.

Kështu, saga që ka zgjatur prej vitesh tashmë ka hyrë në fazën e saj më vendimtare, por beteja ligjore e Manchester Cityt ende nuk ka përfunduar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat