Dramë me pesë gola në Jerevan: Mali i Zi e mposht Armeninë me gol në minutën e 89-të!

Futboll

Dramë me pesë gola në Jerevan: Mali i Zi e mposht Armeninë me gol në minutën e 89-të!

Nga: bota Sot Më: 28 shtator 2026 Në ora: 22:38
Pamje nga përballja mes Armenisë dhe Malit të Zi në Ligën e Kombeve, ku malazezët triumfuan me rezultat 3:2 pas një ndeshjeje dramatike.

Armenia barazoi dy herë rezultatin, por nuk arriti ta shmangte humbjen. Aleksa Latkoviq u bë heroi i Malit të Zi, duke realizuar golin vendimtar në përfundim të ndeshjes së Ligës së Kombeve.

Një ndeshje dramatike është zhvilluar të hënën, më 28 shtator, në Jerevan, ku Mali i Zi ka mposhtur Armeninë me rezultat 3:2, në kuadër të xhiros së dytë të Ligës së Kombeve.

Përballja në stadiumin republikan „Vazgen Sargsyan“ solli pesë gola, dy barazime të rezultatit dhe një gol vendimtar në minutat e fundit, që u siguroi mysafirëve tri pikë të rëndësishme. 

Mali i Zi kaloi në epërsi në minutën e 20-të, kur mbrojtësi armen Erik Piloyan, gjatë një aksioni të mysafirëve, e devijoi topin në portën e vet.

Megjithatë, vendasit reaguan shpejt. Në minutën e 34-t, Artur Serobyan realizoi golin e barazimit, duke rikthyer shpresat e Armenisë.

Gëzimi i vendasve zgjati vetëm katër minuta. Sulmuesi i Atalantës, Nikola Krstoviq, realizoi një gol të bukur me goditje nga distanca, duke e kaluar sërish Malin e Zi në epërsi.

Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 2:1 për mysafirët. 

Armenia barazon, por ndëshkohet në fund

Në pjesën e dytë, Armenia u rikthye me synimin për ta ndryshuar rezultatin.

Në minutën e 65-të, kapiteni Eduard Spertsyan realizoi një gol të bukur nga distanca, duke barazuar shifrat në 2:2 dhe duke rikthyer entuziazmin në tribuna.

Kur gjithçka po shkonte drejt një barazimi, Mali i Zi dha goditjen vendimtare.

Në minutën e 89-të, Aleksa Latkoviq shënoi golin e tretë për mysafirët, duke vulosur fitoren dramatike me rezultatin 3:2. 

Mali i Zi vazhdon me fitore

Me këtë rezultat, Mali i Zi regjistron fitoren e dytë radhazi në Grupin C2 të Ligës së Kombeve, pas triumfit 2:1 ndaj Qipros në ndeshjen hapëse.

Në anën tjetër, Armenia pëson humbjen e parë në këtë edicion, pasi e kishte nisur garën me fitore 2:0 ndaj Letonisë.

Armenia do të përballet me Qipron më 2 tetor, ndërsa kjo humbje përbën një goditje për ambiciet e saj në grup. / Bota Sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat