Teuta-Kukësi, testi i së shtunës

Futboll

Teuta-Kukësi, testi i së shtunës

Më: 1 tetor 2026 Në ora: 13:33
Teuta

Teuta, kryesuese e Kategorisë Superiore, dhe Kukësi kanë menduar ta mbyllin fundjavën me një ndeshje miqësore.

Dy skuadrat do të përballen të shtunën, më 3 tetor, në orën 18:00, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

“Djemtë e Detit” po vijojnë përgatitjet me intensitet të lartë, teksa fokusi kryesor mbetet sfi da e javës së gjashtë të kampionatit ndaj Skënderbeut, që do ta presin në shtëpi më 10 tetor.

Nga ana tjetër, pas testit me Teutën, Kukësin e pret një kalendar i ngjeshur, me dy ndeshje brenda javës së ardhshme. Të mërkurën, më 7 tetor, verilindorët do të luajnë në turin e parë të Kupës së Shqipërisë.

Në “Kukës Arena”, në orën 13:30, skuadra e Bledi Kadiut do të presë Erzenin, që militon në Kategorinë e Dytë. Vetëm tri ditë më vonë, të shtunën, më 10 tetor, Kukësi do të ketë një transfertë të vështirë ndaj Bylisit në Ballsh, në një përballje të vlefshme për javën e pestë të Kategorisë së Parë. Skuadra e drejtuar nga Bledi Kadiu po punon me një grup të plotë dhe me alternativa të mjaftueshme për të përballuar këtë seri ndeshjesh.

Miqësorja me Teutën do t’i shërbejë trajnerit për të mbajtur në ritëm lojtarët dhe për të testuar elementë të ndryshëm të skuadrës përpara sfidave zyrtare. Paralelisht, në kampin verilindor po vijojnë përgatitjet edhe për Kukësi B, që pritet ta nisë kampionatin në mesin e këtij muaji.

Në këtë ekip do të kenë hapësirë futbollistët që nuk marrin minuta të mjaftueshme me ekipin e parë, por edhe të rinjtë e Kukësit që bëjnë pjesë në ekipet U-17 dhe U-19. Kështu, klubi verilindor synon të krijojë një urë të drejtpërdrejtë mes ekipeve të moshave dhe skuadrës së parë, duke u dhënë më shumë mundësi aktivizimi lojtarëve të rinj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat