Në prag të ndeshjes ndaj Austrisë, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, dhe sulmuesi Vedat Muriqi kanë folur në konferencë për media për përballjen e së dielës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, është pyetur nga KosovaPressi se çfarë mësuan nga dy ndeshjet e kaluara pas humbjes dhe barazimit.
“Pas çdo ndeshjeje e analizojmë lojën dhe marrim vendime. Në Izrael kemi menduar se mund të stabilizohemi. Disa lojtarë kanë pasur lëndime dhe është dashur të bëjmë ndryshime. Tani, përsëri kundër Austrisë, duhet të kemi energji dhe më shumë pasion. Ndoshta do të detyrohemi të kemi ndryshime”, ka thënë Foda.
Përzgjedhësi i Kosovës ka theksuar se skuadra ka pasur disa probleme në mbrojtje në ndeshjen e parë ndaj Austrisë, por sipas tij, ekipi tregoi përmirësim në përballjen me Izraelin.
“Kemi pasur disa probleme në mbrojtje ndaj Austrisë. Kemi treguar në ndeshjen ndaj Izraelit se dimë të përmirësohemi. Jemi përgatitur për ndeshjen ndaj Austrisë dhe e dimë që na pret një ndeshje shumë intensive”, është shprehur ai.
Foda është pyetur edhe për gjendjen e fushës së stadiumit “Fadil Vokrri”, pas kritikave të përzgjedhësit të Austrisë, Ralf Rangnick.
“Po, është e vërtetë. Fusha nuk ka qenë në gjendje shumë të mirë. Kjo është për shkak se gjatë verës klubet vendase kanë zhvilluar shumë ndeshje. E dimë që për të dyja kombëtaret vlen fusha”, ka deklaruar Foda.
Ndërkohë, sulmuesi Vedat Muriqi ka konfirmuar se do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Austrisë.
“E pata një shqetësim pas ndeshjes me Austrinë. Siç e dini, pata një muaj që isha i lënduar në klub dhe kam pasur ngarkesa. Nesër do të jem gati”, ka thënë Muriqi.
Në fund, Foda ka vënë theksin te duelet dhe shmangia e gabimeve si faktorë të rëndësishëm për këtë përballje.
“Shumë të rëndësishme do të jenë duelet, sa më pak gabime të paraqitemi dhe të tregojmë prezencë në fushë. Këta faktorë do të jenë kyç”, ka përfunduar përzgjedhësi i Kosovës.
Austria në këtë ndeshje vjen pas barazimit 2-2 ndaj Irlandës, ndërsa Kosova pas barazimit pa gola me Izraelin. Në përballjen e parë mes dy skuadrave, Austria triumfoi 3-1 në Vjenë.
Ndeshja Kosovë–Austri zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të Ligës së Kombeve