Valon Berisha përshëndetet sonte nga Kosova, një nga emrat e parë të historisë së Dardanëve

Futboll

Valon Berisha përshëndetet sonte nga Kosova, një nga emrat e parë të historisë së Dardanëve

Më: 4 tetor 2026 Në ora: 17:13
Valon Berisha

Sonte, pas ndeshjes së Kosovës ndaj Austrisë, do të zhvillohet një ceremoni e veçantë për Valon Berishën, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij me fanellën e Dardanëve.

Berisha është një prej futbollistëve që ka lënë gjurmë në vitet e para të Kosovës si përfaqësuese e pranuar në UEFA dhe FIFA.

Ai ishte pjesë e ndeshjes historike ndaj Finlandës më 5 shtator 2016, në debutimin e Kosovës në kualifikimet për Kupën e Botës.

Madje, pikërisht Berisha shënoi atë ditë golin e parë të Kosovës në një ndeshje kualifikuese për një turne madhor.

Ai realizoi nga penalltia në minutën e 60-të, duke e futur emrin e tij në një prej faqeve më të rëndësishme të historisë së futbollit kosovar. UEFA e ka cilësuar atë moment si një pikë kthese që e vendosi Kosovën në hartën e futbollit botëror.

Berisha, i cili më herët kishte luajtur edhe për Norvegjinë, vendosi të përfaqësonte Kosovën në nivel senior.

Në total, ai ka 52 paraqitje dhe katër gola me Dardanët, ndërsa në karrierën ndërkombëtare ka gjithsej 72 ndeshje me Kosovën dhe Norvegjinë.

Në nivel klubesh, mesfushori ka luajtur për ekipe si Viking, Red Bull Salzburg, Lazio, Fortuna Düsseldorf, Reims, Melbourne City dhe LASK.

Pikërisht te Salzburgu kaloi një pjesë të rëndësishme të karrierës, duke fituar tituj në Austri dhe duke luajtur edhe në kompeticionet evropiane.

Në vitin 2017, ai realizoi dy gola ndaj Borussia Dortmundit në fitoren 2:1 të Salzburgut në Ligën e Evropës.

Por sonte vëmendja nuk do të jetë te karriera e tij në klube. Në “Fadil Vokrri”, Berisha do të marrë duartrokitjet e tifozëve të Kosovës për një kapitull që nisi në atë natë të shtatorit 2016 dhe që tashmë është pjesë e historisë së Dardanëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat