Tuchel ‘zbulon’ arsyen se pse Gordon ka kaluar në nivel tjetër,

Futboll

Tuchel ‘zbulon’ arsyen se pse Gordon ka kaluar në nivel tjetër,

Më: 4 tetor 2026 Në ora: 17:36
Tuchel e Gordon

Thomas Tuchel ka zbuluar arsyen pse Anthony Gordon ka arritur në “një tjetër nivel” për klubin dhe kombëtaren që prej transferimit të tij te Barcelona.

Gordon kompletoi këtë verë një transferim befasues prej 69.1 milionë funtesh nga Newcastle United te Barcelona dhe është përshtatur me La Ligën sikur të kishte luajtur aty prej vitesh. Anësori shpërthyes ka regjistruar katër asistime në gjashtë ndeshjet e para në La Liga, ndërsa e ka bartur këtë formë edhe tek Anglia.

25-vjeçari ka startuar nga krahu i majtë në secilën prej tri ndeshjeve të Anglisë në Ligën e Kombeve dhe ka qenë një prej lojtarëve më të spikatur të Thomas Tuchelit.

Bilanci prej tri golash dhe një asistimi, përfshirë një gol mbresëlënës ndaj Spanjës, ia ka siguruar vendin si një prej emrave të parë në formacion.

Të shtunën mbrëma, “Tre Luanët” e shkatërruan Kroacinë me rezultat 7-0 në Rijekë, në atë që ishte paraqitja e tyre më mbresëlënëse ekipore që prej marrjes së drejtimit nga Tucheli.

Gordon ishte sërish në formë të jashtëzakonshme, duke kombinuar shpejtësinë e tij të jashtëzakonshme, agresivitetin dhe vendimmarrjen e nivelit të lartë për të shënuar dhe asistuar në dy prej shtatë golave të skuadrës së tij.

Ish-anësori i Newcastle United ishte thjesht i pandalshëm – ashtu si shumë prej bashkëlojtarëve të tij – dhe Tucheli tani ka shpjeguar se si anësori ka arritur në “një tjetër nivel”.

“Ai po luan me shumë më tepër agresivitet tani, me më shumë vetëbesim. Po shoh një lojtar plot vetëbesim, plot besim në vete. Ai ka arritur në një tjetër nivel”, tha gjermani në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

Transferimi te Barcelona ishte përshkruar nga Gordoni si një ëndërr dhe po rezulton të jetë ndoshta vendimi më i mirë i karrierës së tij, pasi është shndërruar në një prej anësorëve më të mirë në Evropë.

Anglezi shpesh e kishte treguar këtë edhe në Champions League me Newcastle United, duke shënuar 10 herë në edicionin e kaluar të garës, por liria që i është ofruar në treshen e sulmit të Hansi Flickut e ka ngritur lojën e tij në një tjetër nivel.

“Mendoj se jam bërë një lojtar ndryshe në sytë e shumë njerëzve, sepse në Angli gjithmonë kam ndier se më respektonin për shpejtësinë dhe presionin që bëja, por ata kurrë nuk e kanë respektuar vërtet cilësinë dhe inteligjencën me të cilën luaj”, kishte deklaruar Gordoni para Ligës së Kombeve. “Vetëm lojtarët me të cilët kam luajtur dukej se e kuptonin këtë.”

Ai madje pretendoi se nuk ishte vlerësuar plotësisht nga tifozët e Premier League në krahasim me La Ligën, ku beson se inteligjenca dhe cilësia e tij më në fund po vihen re.

“Nuk mendoj se jam respektuar ndonjëherë plotësisht në Angli”, pranoi ai. “Njerëzit thjesht më shohin si dikë që është shumë i shpejtë dhe shumë agresiv, ndërsa në Spanjë ata e vlerësojnë vërtet inteligjencën dhe cilësinë time.”

Gordon ka shfaqur shumë vetëbesim që prej transferimit në Spanjë dhe statistikat dëshmojnë përmirësimin e tij. Anësori i shpejtë po regjistron mesatarisht më shumë goditje këtë sezon krahasuar me të kaluarin (2/1.8), pasime kyçe (1.2/1) dhe driblime të suksesshme për 90 minuta (2/1.3).

Është e qartë se ish-lojtari i Evertonit ka shkëlqyer në një ligë që njihet si më teknike dhe më pak fizike, me paraqitje të tilla që po vazhdojnë edhe në skenën ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat