Kroacia dhe Spanja do të përballen sonte nga ora 20:45 në “Polud”, në ndeshjen e xhiros së katërt të Grupit 3 të nivelit më të lartë të Ligës së Kombeve.
Spanja vjen në Split si kryesuese e grupit dhe i mjafton një barazim për të siguruar kualifikimin në çerekfinale.
Mediat spanjolle presin që trajneri Luis de la Fuente të bëjë përsëri ndryshime të mëdha në formacionin startues.
Gazeta AS, në ditën e ndeshjes, publikoi një artikull me titullin “Super-rotacion i mundshëm”, duke shkruar se në formacionin bazë mund të rikthehen Marc Pubill, Pau Cubarsí, Dean Huijsen, Marc Cucurella, Martín Zubimendi, Fermín Lopez dhe Mikel Oyarzabal.
Të gjithë këta janë kandidatë për 11-shen startuese, pasi De la Fuente gjatë këtij grumbullimi të kombëtares ka shpërndarë në mënyrë intensive minutat mes lojtarëve.
Pyetja më interesante është se çfarë do të bëjë De la Fuente me Lamine Yamal.
Ylli i Barcelonës është lojtari i vetëm spanjoll që ka qenë titullar në të tri ndeshjet e deritanishme të këtij grumbullimi. Ai ka shënuar katër gola dhe ka dhënë një asistim.
De la Fuente kishte paralajmëruar para ndeshjes se asnjë lojtar i tij nuk do të luajë më shumë se 270 minuta në katër ndeshjet.
Kur u pyet konkretisht për Yamalin, trajneri tha se 19-vjeçari është i gatshëm dhe i motivuar, por nuk zbuloi nëse do ta nisë ndeshjen në “Polud”.
Megjithatë, AS beson se Yamal do të jetë në 11-shen startuese. Nëse nuk e nis ndeshjen, sipas gazetës spanjolle, ai me siguri do të aktivizohet nga banka rezervë.
Federata Spanjolle e Futbollit publikoi të martën në mëngjes edhe listën përfundimtare me 23 lojtarë për ndeshjen.
Nga lista është larguar sulmuesi i ri Carlos Espí, i cili ishte bashkuar më vonë me kombëtaren pas dëmtimit të Ferran Torresit.