Futbollisti Edon Zhegrova po kalon nëpër një formë të shkëlqyeshme.
Ylli nga Kosova e ka rikthyer shkëlqimin, si me Juventusin, ashtu edhe me Kombëtaren e Kosovës.
Prandaj, Evertoni mund të pendohet që nuk e transferoi “Messin e Kosovës” gjatë verës që shkoi.
Zhegrova kishte qenë në radarin e klubit anglez që prej dimrit të kaluar dhe interesimi vazhdoi edhe gjatë afatit kalimtar të verës, shkruan “Football Insider”.
Madje, Evertoni e kishte diskutuar me Juventusin mundësinë e një huazimi me shkëmbim, ku Beto do të transferohej në Torino në janar, por marrëveshja nuk u realizua.
27-vjeçari ishte pranë largimit nga Juventusi para fillimit të këtij sezoni, por qëndrimi i tij në Torino tashmë duket se ishte vendimi i duhur.
Zhegrova e ka nisur sezonin në mënyrë mbresëlënëse duke i realizuar dy gola dhe një asistim në katër paraqitje për Juventusin.
Edhe me Kosovën, anësori ka vazhduar formën e mirë. Ai shënoi ndaj Austrisë në ndeshjen e parë dhe asistoi në sfidën e kthimit, duke qenë ndër lojtarët më të dalluar të ekipit.
Në ndeshjen e së dielës ndaj Austrisë, Zhegrova ishte vendimtar në aksionin e golit të Kosovës, duke depërtuar bukur nga krahu i djathtë dhe duke asistuar për Fisnik Asllanin.
Por statistikat e tij ishin edhe më mbresëlënëse. Zhegrova i realizoi 8 driblime, më shumë se çdo lojtar tjetër në fushë, i pati 58 prekje të topit, i kreu 6 ndërhyrje dhe e rikuperoi topin në 6 raste.
Për më tepër, ai i fitoi 15 nga 19 duelet e tij, duke qenë lojtari me më së shumti duele të fituara në ndeshje.
Zhegrova ende nuk e ka nisur ende një ndeshje të Serie A si titullar këtë sezon, por pas golave të shënuar si zëvendësues dhe paraqitjeve të tij me Kosovën, kjo pritet të ndryshojë së shpejti.
Nëse Evertoni do ta kishte transferuar, Zhegrova do të ishte një përforcim i rëndësishëm për skuadrën e David Moyes, sidomos duke i marrë parasysh problemet që ekipi i ka shfaqur në fazën ofanzive.
Tashmë, megjithatë, situata është ndryshe. Forma e Zhegrovës e ka rritur ndjeshëm vlerën e tij dhe Evertoni duket se e ka humbur një mundësi të artë për ta transferuar atë.