Ndeshjen e fundit me fanellën e kombëtares së Argjentinës, Lionel Messi e përfundoi me një gol dhe dy asistime, ndërsa më pas mbajti edhe një fjalim lamtumire që përloti të gjithë në stadium.
Qanë familjarët e tij, shokët e skuadrës në fushë, më shumë se 85.000 tifozë në tribuna, por edhe vetë Messi.
“Nuk dua të largohem nga kombëtarja, kjo është dita më e trishtuar”, tha mes lotësh futbollisti.
Biletat kushtuan mbi 1.500 dollarë në tregun e zi
Interesi për ndeshjen e lamtumirës ishte jashtëzakonisht i madh.
Ata tifozë që nuk arritën të siguronin biletë në kohë, në tregun e zi ofronin më shumë se 1.500 dollarë për një biletë.
Ndërsa personat e privilegjuar që hynë me ftesa garuan mes tyre për t'i bërë Messit dhuratat më të veçanta dhe për të publikuar mesazhet më emocionuese.
Dhuratat e veçanta për Messin
Sipas gazetës “Clarín”, Messi mbeti dukshëm i befasuar nga koleksioni i madh i dhuratave që i dorëzoi Alejandro Domínguez, presidenti i CONMEBOL-it.
Për bashkëshorten e Messit, Antonela Roccuzzo, ai kishte përgatitur një koleksion mbresëlënës librash historikë me kopertina të forta, me tekste, statistika dhe fotografi spektakolare nga të gjitha fazat e karrierës së Messit.
Në bashkëpunim me Federatën Argjentinase të Futbollit (AFA), federata kontinentale përgatiti edhe një unazë speciale kampioni, të zbukuruar me gurë të çmuar.
Messi mori gjithashtu një statujë të dizajnuar posaçërisht për këtë rast.
Madje edhe gjyqtari i ndeshjes së tij të fundit, Fernando Vejar, arriti t'i afrohej Messit për t'i dhuruar kartonët që kishte përdorur gjatë ndeshjes në Monumental.