Vinicius Junior ka kërkuar falje ndaj bashkëlojtarëve dhe tifozëve të Real Madridit pas kartonit të kuq të marrë në fitoren 1:0 ndaj Villarrealit, të shtunën në kuadër të LaLigës.
Sulmuesi brazilian u inkuadrua në lojë në minutën e 52-të dhe, rreth 20 minuta më vonë, mendoi se kishte shënuar golin e dytë për madrilenët.
Megjithatë, pas ndërhyrjes së VAR-it, goli u anulua dhe Vinicius u përjashtua nga loja, pasi pamjet treguan se ai ia kishte tërhequr flokët kundërshtarit Nathan Saliba gjatë aksionit.
Pas ndeshjes, 26-vjeçari reagoi në rrjetet sociale, duke kërkuar falje për veprimin e tij. “Më falni, skuadra dhe tifozët”, shkroi ai.
Tani, braziliani pret vendimin e komisionit disiplinor të futbollit spanjoll. Sipas rregulloreve të federatës, sjellja e tillë mund të dënohet me një deri në tri ndeshje pezullim.
Një dënim i tillë mund ta rrezikojë paraqitjen e Viniciusit në përballjen e madhe ndaj Barcelonës, e cila zhvillohet më 25 tetor në “Camp Nou”.
Para El Clasicos, Real Madridi do të përballet me Sevillan në kampionat.