Kristian Shpendi po konfirmohet si një nga protagonistët e Serisë B italiane.
Sulmuesi i Çezenës është shpallur “Lojtari i Muajit” për shtatorin, duke marrë një tjetër vlerësim të rëndësishëm për paraqitjet dhe rendimentin e tij para portës.
Sipas të dhënave të Opta-s, Shpendi realizoi katër gola gjatë muajit shtator, duke u renditur mes sulmuesve më produktivë në Evropë.
Në kampionatet kryesore evropiane dhe kategoritë e dyta përkatëse, vetëm futbollistë si Rafinha dhe Lamine Yamal shënuan më shumë gola gjatë kësaj periudhe.
Sezoni ka nisur në mënyrë mbresëlënëse për 23-vjeçarin, i cili realizoi gjashtë gola në pesë ndeshjet e para, duke barazuar një rekord të Çezenës që daton nga sezoni 1949-1950.
Me 54 gola të shënuar me fanellën bardhezi, sulmuesi shqiptar është ngjitur gjithashtu mes golashënuesve më të mirë në historinë e klubit.
Megjithatë, forma e shkëlqyer në nivel klubesh nuk është shoqëruar me të njëjtën hapësirë në Kombëtaren shqiptare.
Shpendi është aktivizuar vetëm në një ndeshje nga trajneri Rolando Maran, duke qëndruar në stol në takimet e tjera, pavarësisht vështirësive të kombetares në fazën sulmuese.
Ndërkohë, Çezena renditet në vendin e dhjetë në Serinë B, me një fitore, katër barazime dhe një humbje. Në ndeshjen e radhës, skuadra do të përballet me Avellinon.