Në bazë të raportimeve të fundit nga media lokale në Shkodër, bëhet e ditur se klubi i Vllaznisë ka firmosur kontratë me mbrojtësin e Kombëtares, Andi Hadroj.
27-vjeçari kishte ndërprerë bashkëpunimin në Premier League ukrainase me Polissya prej verës së këtij viti. Pra, në rrethana të tilla, Hadroj vjen si afrim me parametra zero te kuqeblutë e drejtuar nga Csaba Laszlo.
Për Vllazninë, ky është afrim me shumë peshë, marrë në konsideratë “CV”-në e Hadrojt, sikurse prezencën te Kombëtarja.
Suksesin më të rëndësishëm në karrierë, mbrojtësi pukjan e ka te Partizani në edicionin 2022-2023, titullin kampion në Shqipëri.