Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, foli përpara derbit të madh ndaj Real Madridit, duke komentuar Mourinhon, gjykimin, mungesat në skuadër dhe mënyrën se si synon ta ndalë Kylian Mbappen.
Gjermani theksoi se dëshiron të përqendrohet vetëm te skuadra e tij, pa u përfshirë në polemikat jashtë fushës.
Barcelona dhe Real Madridi do të përballen të dielën, në orën 21:00, në Camp Nou, në ndeshjen e madhe të futbollit spanjoll, El Clasico.
Para kësaj sfide, trajneri i katalanasve, Hansi Flick, mbajti një konferencë për media, ku foli për disa nga temat kryesore që e shoqërojnë derbin.
Një nga çështjet për të cilat u pyet ishte debati rreth gjyqtarëve, i cili është rikthyer në qendër të vëmendjes para ndeshjes.
“Unë u besoj gjyqtarëve. Mendoj se kemi gjykim cilësor dhe secili prej nesh duhet t'i mbrojë njerëzit e vet”, deklaroi Flick kur u pyet nëse presioni i krijuar para derbit mund të ndikojë te arbitri.
Në fund të konferencës, trajneri gjerman u pyet sërish nëse e shqetëson fakti që po flitet kaq shumë për gjyqtarët dhe nëse Real Madridi po e përdor këtë temë për të larguar vëmendjen nga çështje të tjera.
“Preferoj të përqendrohem te përgatitja e skuadrës sime. Këtu bëhet fjalë për tituj në media, por unë nuk dua asnjë titull. Dua të përqendrohem vetëm te skuadra ime”, u përgjigj trajneri i Barcelonës.
Flick për Mourinhon: Kam respekt të jashtëzakonshëm për të
Trajneri gjerman foli me vlerësim për Mourinhon, duke theksuar përvojën dhe rezultatet që ai ka arritur gjatë karrierës së tij.
“Kam respekt të jashtëzakonshëm për Mourinhon. Kur drejtoni skuadra në këtë nivel për kaq shumë vite, kjo tregon cilësinë tuaj. Ai e ka dëshmuar këtë te të gjitha klubet. E kam vizituar dhe të gjithë lojtarët gjermanë që kanë punuar me të flasin shumë mirë për të. Ai është koleg dhe një bashkëpunëtor i shkëlqyer”, deklaroi Flick.
Për Real Madridin foli me kujdes, pavarësisht se Barcelona ka gjashtë pikë më shumë në kampionat.
“Pres një skuadër me shumë vetëbesim, sepse po flasim për një klub të madh, me lojtarë të mëdhenj dhe një trajner të madh. Kështu e shoh kundërshtarin tonë. Ata kanë shumë cilësi, veçanërisht në sulm. Në ndeshjet e fundit kanë luajtur mirë”, u shpreh ai.
“El Clasico është ndeshja më e mirë në futboll”
Flick beson se pozita aktuale në tabelë nuk do të jetë vendimtare në përballjen e së dielës.
“El Clasico është ndryshe. Mendoj se është ndeshja më e mirë në këtë sport. E gjithë bota e shikon këtë përballje. Fiton tri pikë, por kjo ndeshje është shumë më tepër se kaq.
Është fantastike të jesh pjesë e një ndeshjeje të tillë. Të gjithë në skuadrën time e dinë se si duam të luajmë. Jemi gati dhe kemi vetëbesim të plotë”, deklaroi trajneri i Barcelonës.
Skuadra e tij vjen në këtë derbi pas humbjes 4:2 nga Paris Saint-Germaini në Ligën e Kampionëve, humbja e parë e sezonit.
Megjithatë, Flick beson se Barcelona mund të nxjerrë mësime të vlefshme nga ajo ndeshje.
“Sigurisht që ndeshja kundër PSG-së na ndihmoi. Kemi biseduar me lojtarët. Ka aspekte të lojës që duhet t'i përmirësojmë dhe duhet të përparojmë. Nesër luajmë kundër një prej skuadrave më të mira në botë dhe kjo është një mundësi për t'u përmirësuar”, theksoi ai.
Kounde mungon, Flick tregon si synon ta ndalë Mbappen
Barcelona do të jetë pa Jules Kounden në përballjen ndaj Real Madridit. Këtë e konfirmoi vetë Flick, duke bërë të ditur se mbrojtësi francez ka probleme me kyçin e këmbës dhe klubi nuk dëshiron të rrezikojë përkeqësimin e dëmtimit.
“Jules nuk do të luajë nesër. Nuk duam të rrezikojmë me të. Dani Olmo ishte në një moment shumë të mirë dhe plotësisht i gatshëm. Ai nuk pati fat. Është shumë për të ardhur keq, por duhet ta pranojmë. Do të mungojë në shumë ndeshje, por e kemi edhe Ferminin. Megjithatë, do të na mungojë”, deklaroi Flick.
Një nga pyetjet kryesore kishte të bënte me mënyrën se si Barcelona do të përpiqet ta ndalë Kylian Mbappen, një nga kërcënimet më të mëdha për mbrojtjen katalanase.
“Më e rëndësishmja është të pozicionohemi mirë në fushë, si kur kemi topin, ashtu edhe kur nuk e kemi. Duhet ta ruajmë kompaktësinë e mbrojtjes.
Nëse i bëjmë të gjitha gjërat siç duhet, atëherë linja jonë mbrojtëse do ta ketë më të lehtë t'i mbrojë këto situata. Cubarsí dhe Gerard Martín po luajnë shumë mirë dhe ajo që po bëjnë është e pabesueshme. Ata po përparojnë së bashku”, tha trajneri gjerman.
Flick paralajmëroi gjithashtu për rrezikun që paraqet Real Madridi në goditjet standarde.
“Kjo është një nga pikat e tyre të forta. Kemi biseduar sot për këtë dhe jemi përgatitur. Duhet të mbrohemi më mirë sesa në Paris”, përfundoi trajneri i Barcelonës.