Protestat studentore që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama po vazhdojnë. Një lajm i rëndë sot, më 24 tetor, ishte pikërisht plagosja në sy e Erjon Vishkullit.
Vetë Tifozat Kuq e Zi kanë reaguar për tifozin e njohur të Kombëtares. Vishkulli është 28 vjeçari nga Elbasani i cili edhe i është nënshtruar menjëherë ndërhyrjes kirurgjikale në sy.
”Erjon Vishkulli, si dhe shumë djem të tjerë që nuk u mungon asgjë në jetën familjare, i dalin në ballë Atdheut për një Shqipëri më të mirë. Shërim sa me te shpejtë. Lutemi për ty vlla”, shkruan “TKZ”.
Dyshohet se u godit nga një plumb gome
Sipas informacioneve paraprake, i riu dyshohet se është goditur nga një plumb gome i përdorur gjatë ndërhyrjes së policisë për shpërndarjen e protestuesve. Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar mbi mjetin që ka shkaktuar plagosjen dhe rrethanat e sakta të ngjarjes.
Nga tribunat ku mbështet Kombëtaren, në Spitalin e Traumës
Erjon Vishkulli është një emër i njohur për tifozërinë shqiptare. Prej vitesh ai është pjesë aktive e grupimit “Tifozat Kuq e Zi” dhe njihet si ‘kryetifoz’ i Kombëtares, duke qenë i pranishëm në stadiume për të mbështetur kuqezinjtë. Por këtë herë, 28-vjeçari nuk është në tribunat e stadiumit për të mbështetur Shqipërinë, por në një shtrat spitali, pas plagosjes gjatë protestës në kryeqytet.
Ngjarja është regjistruar në ditën e 12-të të protestës kombëtare të studentëve dhe të rinjve, e cila u shoqërua me përplasje të forta me policinë. Gjatë tubimit u raportua përdorimi i gazit lotsjellës, ujit me presion dhe plumbave të gomës.
Plagosja e Vishkullit është një ndër rastet më të rënda të raportuara gjatë protestës, ndërsa mbeten ende pa përgjigje pyetjet mbi rrethanat e dëmtimit dhe pasojat që mund të ketë për shikimin e tij.
Pritet një informacion zyrtar nga autoritetet shëndetësore për gjendjen e 28-vjeçarit dhe rezultatin e ndërhyrjes kirurgjikale.