Sulmi i frikshëm i Barcelonës ndaj Realit të Mourinhos

Futboll

Sulmi i frikshëm i Barcelonës ndaj Realit të Mourinhos

Më: 25 tetor 2026 Në ora: 13:20
Lamin Yamal, majtas, lufton për topin me Kylian Mbappén e Real Madridit gjatë finales së Superkupës së Spanjës, të zhvilluar në stadiumin “King Abdullah Sports City” në Xhedah të Arabisë Saudite.

Barcelona përballet me Real Madridin sonte, në orën 21:00, në stadiumin “Camp Nou”, në kuadër të javës së 10-të të La Ligës.

Nëse fitojnë katalanasit, ata do të kenë nëntë pikë më shumë se rivali i tyre më i madh.
El Clasico i parë i këtij sezoni mund të krijojë që në javën e 10-të një diferencë të rëndësishme në tabelë ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit.

Katalanasit nuk kanë gabuar asnjëherë në nëntë xhirot e para. Ata kanë shënuar plot 39 gola dhe i kanë mposhtur kundërshtarët pa shumë vështirësi. Ndërkohë, në kryeqytetin spanjoll ka pasur probleme dhe gabime, ndaj José Mourinho rrezikon që, në rast të humbjes, qysh në fund të tetorit të mbetet nëntë pikë prapa rivalit më të madh.

Barcelona dhe Reali kanë filluar të shkëmbejnë deklarata provokuese para derbit të madh që para rreth dhjetë ditësh. Kryesisht nga Madridi kanë ardhur deklarata të ashpra, pas përjashtimit të Vinícius Juniorit në ndeshjen kundër Villarrealit, por kjo javë ka kaluar në mënyrë befasuese e qetë.

Barcelona humbi të martën nga PSG, duke pësuar humbjen e saj të parë të sezonit. Reali, një ditë më vonë, e shkatërroi Leipzigun në një ndeshje që ishte ndoshta paraqitja më e mirë e skuadrës në mandatin e dytë të Mourinhos.

A mund të jetë ajo që ndodhi në mesjavë një lloj paralajmërimi për El Clasicon, i cili zhvillohet sonte në orën 21:00 në “Camp Nou”?

“Kam shumë kohë në këtë profesion për të menduar diçka të tillë. Mendimi im nuk do të ndryshonte as nëse do ta kishim humbur ndeshjen kundër Leipzigut, sepse ajo që na pret nuk ka lidhje me atë që ka ndodhur më parë”, tha Mourinho.

Barcelona ka shënuar 39 gola në nëntë javë

39 gola ka shënuar Barcelona në nëntë xhirot e deritanishme të La Ligës, në të cilat ka regjistruar vetëm fitore. Kampioni aktual ka pranuar gjithsej nëntë gola gjatë kësaj serie, ndërsa ka shënuar plot 16 gola më shumë se Real Madridi.

Reali ka pësuar dy humbje në La Liga, kundër Betisit dhe Atlético Madridit, të dyja në ndeshje si mysafir. Një humbje e tretë mund të jetë vendimtare për ëndrrat e tij për titullin kampion.

Edhe Hansi Flick thekson se gjithçka që ka ndodhur deri më tani duhet të harrohet.

“Derbi është ndryshe nga të gjitha ndeshjet e tjera. Është ndeshja më e mirë që mund të ofrojë sporti ynë. Gjithçka rreth kësaj ndeshjeje është e jashtëzakonshme, edhe pse nuk mund të fitosh më shumë se tri pikë. Megjithatë, të gjithë e dimë se këto përballje kanë shumë më tepër rëndësi sesa vetëm fitorja”, - tha trajneri gjerman.

Vinícius i suspenduar, Barcelona pa Olmon dhe Kounden

Te Reali është i suspenduar Vinícius Júnior, ndërsa Barcelona nuk do të mund të llogarisë te Dani Olmo dhe Jules Koundé për shkak të lëndimeve.

“Me Kounden nuk duam të rrezikojmë asgjë. Olmo ishte në formë të shkëlqyer dhe do të na mungojë”, - shtoi Flick.

Publiku pret që derbi të zhvillohet sipas një skenari të njohur: Barcelona do të përpiqet të dominojë lojën, ndërsa Reali do të synojë të jetë më i rrezikshëm përmes kundërsulmeve.

“Pres që Reali të vijë me shumë vetëbesim. Është një klub i madh, me lojtarë të shkëlqyer dhe trajner të mirë. I njohim cilësitë e kundërshtarit dhe duhet të jemi të kujdesshëm, si dhe t'u kushtojmë vëmendje goditjeve standarde. Këto janë disa detaje, por ndeshja është dinamike dhe gjithmonë ndodh diçka që nuk mund ta parashikosh”, - tha Flick.

Çfarë tha Mourinho për Barcelonën?

“Ka ndeshje në të cilat Barcelona i meriton qartazi duartrokitjet, sepse bën gjëra shumë të mira.

Sa i përket nesh, njerëzit na shohin sikur të jemi një produkt i përfunduar, por nuk jemi të tillë. Nëse na vlerësoni në këtë fazë të procesit, duhet ta keni parasysh se kemi vetëm tre muaj që punojmë së bashku”, - përfundoi Mourinho.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat