​Interi dhe Milani zbulojnë stadiumin e ri, ky është emri dhe kapaciteti i tij

Futboll

​Interi dhe Milani zbulojnë stadiumin e ri, ky është emri dhe kapaciteti i tij

Më: 30 tetor 2026 Në ora: 09:02
Fotoilustrim

Interi dhe Milani kanë zbuluar projektin e stadiumit të ri, i cili do të ndërtohet në zonën e San Siros në Milano, ndërsa arkitekti David Manica ka premtuar se arena e re do të ruajë identitetin dhe atmosferën e stadiumit legjendar, madje duke qenë “edhe më shumë San Siro se sa është sot”.

Projekti i ri, i quajtur “Generali Stadium”, është prezantuar në një ngjarje të përbashkët të dy klubeve italiane, vetëm pak ditë para derbit të Milanos.

Në realizimin e tij janë angazhuar arkitektët e njohur Norman Foster dhe David Manica, të cilët kanë punuar edhe në projektin e ridizajnimit të stadiumit Ëembley në Londër.

Manica ka theksuar se synimi kryesor nuk ka qenë thjesht ndërtimi i një impianti të ri, por ruajtja e ndjenjës dhe përjetimit që San Siro u ka ofruar tifozëve ndër vite.

“Gjëja më e rëndësishme që kuptuam gjatë projektimit të këtij projekti është se San Siro është një ndjenjë. Është më shumë se një ndërtesë, është një ndjenjë. Ne i afruam të gjitha ulëset sa më shumë që ishte e mundur pranë fushës. Ato nuk mund të jenë më afër, në fakt do të duket sikur je ulur në barin e fushës”, ka deklaruar Manica.

Ai ka insistuar se ideja nuk është zëvendësimi i impiantit ikonik, por krijimi i një stadiumi që do ta përcjellë edhe më fuqishëm identitetin e tij.

Stadiumi i ri do të ketë kapacitet prej rreth 71 mijë e 500 ulësesh, ndërsa një prej veçorive kryesore do të jetë organizimi i tribunave pas portave, ku dy sektorët “Curva”, tradicionalisht të rezervuar për tifozët më të zjarrtë, do të kenë nga 11 mijë e 700 ulëse.

Sipas projektit, stadiumi do të përfshijë edhe 8 mijë e 88 ulëse për shërbime mikpritëse, 3 mijë e 698 hapësira premium dhe 394 pozicione për personat në karroca me rrota.

Lartësia e impiantit do të arrijë në 70 metra mbi fushë, ndërsa kulmi do të mbulohet me 27 mijë e 500 metra katrorë panele diellore, duke i dhënë stadiumit edhe një dimension të rëndësishëm të qëndrueshmërisë energjetike.

Interi dhe Milani e kishin blerë tokën ku ndodhet edhe stadiumi aktual “Giuseppe Meazza” në nëntor të vitit 2025, në një marrëveshje me vlerë rreth 197 milionë euro. Stadiumi i ri pritet të ndërtohet në hapësirën që aktualisht shërben kryesisht si parking i impiantit ekzistues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat