Hoffenheimi dështon në Bremen, Asllani dhe Avdullahu luajnë nga 87 minuta

Futboll

Hoffenheimi dështon në Bremen, Asllani dhe Avdullahu luajnë nga 87 minuta

Nga: K.Goca Më: 31 tetor 2026 Në ora: 17:27
Pamje nga ndeshja Werder Bremen – Hoffenheim, të cilën vendasit e fituan me rezultat 2:0

Reprezentuesit e Kosovës, Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu, nuk arritën të ndihmonin Hoffenheimin të merrte pikë në udhëtim te Werder Bremeni, pasi skuadra e tyre pësoi humbje me rezultat 2:0, në kuadër të xhiros së tetë të Bundesligës gjermane.

Pjesa e dytë vendimtare

Në minutën e tretë, Füllkrug shërbeu bukur për Reisin, i cili tentoi të godiste nga vija e zonës së rreptësisë, por nuk e goditi mirë topin, duke humbur një mundësi të mirë për vendasit.

Në fillim të pjesës së dytë, Hoffenheimi ishte shumë pranë golit. Hlozek pasoi ulët në qendër për Fisnik Asllanin, i cili tentoi të krijonte hapësirë për goditje, por Regeer ndërhyri në momentin e fundit dhe e devijoi topin në këndore.

Në minutën e 53-të, portieri Baumann shpëtoi Hoffenheimin pas një goditjeje të fuqishme të Füllkrugut nga rreth 20 metra, duke e devijuar topin pranë shtyllës.

Katër minuta më vonë, Werder Bremeni kaloi në epërsi. Füllkrug përfitoi nga një top i gjatë i portierit Hein, fitoi duelin me Kabakun dhe dërgoi topin në rrjetë me një goditje të fuqishme nën traversë.

Asllani kërkoi golin e barazimit

Në minutën e 71-të, Hoffenheimi krijoi një rast të mirë për barazim. Asllani kërceu lart në shtyllën e dytë, por pas harkimit të Lemperles nga krahu i djathtë, arriti ta dërgonte topin vetëm në rrjetën e jashtme.

Në minutën e 82-të, punë fantastike nga Marco Grull, i cili luan një rol vendimtar në ndërtimin e aksionit. Ai e pasoi topin në krah te Eren Dinkçi (Werder Bremen), i cili me një goditje të shkëlqyer e dërgon topin në këndin e sipërm të majtë të portës, 2:0.

Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu u zëvendësuan në minutën e 87-të, duke luajtur nga 87 minuta secili në këtë përballje.

Pas kësaj fitoreje, Werder Bremeni renditet në pozitën e pestë me 15 pikë, ndërsa Hoffenheimi gjendet në vendin e 11-të me nëntë pikë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat