Futbollisti shqiptar Brajan Gruda ishte titullar në fitoren e rëndësishme të Leipzigut, i cili triumfoi me rezultat 2:0 në udhëtim ndaj Schalke 04, në kuadër të javës së tetë të Bundesligës gjermane.
Gruda dhe bashkëlojtarët e tij festuan suksesin në Gelsenkirchen. Futbollisti shqiptar zhvilloi një paraqitje të mirë, ndërsa u zëvendësua në minutën e 76-të.
Penalltia
Në minutën e 34-t, Leipzigu fitoi një penallti pas një aksioni brenda zonës së rreptësisë. Schalke arriti ta fitonte topin dhe Tanaka u përgatit për ta larguar, por në momentin e fundit ndërhyri Romulo, i cili ia rrëmbeu topin.
Tanaka nuk arriti ta prekte topin dhe goditi kundërshtarin. Arbitri Burda akordoi menjëherë penallti për Leipzigun.
VAR-i e rishikoi aksionin, por vendimi i gjyqtarit mbeti në fuqi dhe penalltia nuk u anulua.
Nga pika e bardhë, Nusa ishte i saktë në minutën e 37-të, duke kaluar Leipzigun në epërsi, 0:1.
Cardoso vulosi fitoren
Fitoren e mysafirëve e vulosi Romulo Cardoso në minutën e 78-të. Sulmuesi përfitoi nga një pasim fantastik që çau mbrojtjen kundërshtare dhe e dërgoi topin në rrjetë me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të majtë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 0:2.
Pas kësaj fitoreje, Leipzigu renditet në pozitën e katërt me 15 pikë, ndërsa Schalke 04 gjendet në vendin e 16-të me gjashtë pikë.