Përballja e sotme mes Baselit dhe Luganos pritet me shumë interes në futbollin zviceran, jo vetëm për rëndësinë e pikëve, por edhe për lidhjet e shumta mes dy klubeve.
Ndeshja zhvillohet në orën 16:30, në stadiumin e Luganos, ku vendasit do të synojnë të vazhdojnë ecurinë pozitive.
Kush qëndron prapa suksesit të FC Luganos? Një vështrim më i kujdesshëm zbulon se shumë prej njerëzve që sot janë pjesë e klubit nga Tiçino kanë një të kaluar te Baseli.
Cila është gjuha e suksesit te FC Lugano? Jo italishtja!
“Kam përshtypjen se në zhveshtoren e Luganos flitet më shumë gjermanishtja e Baselit sesa në vetë Basel”, deklaroi së fundmi Albian Ajeti në një konferencë për shtyp.
Sipas mediumit zviceran “Blick”, sulmuesi nuk e ka aspak gabim. Rreth një duzinë futbollistësh dhe ish-punonjësish të Baselit kanë ndërruar, gjatë viteve të fundit, fanellën kuqeblu me atë bardhezi të Luganos. Tani ata janë pranë përsëritjes së sukseseve që kishin arritur gjatë kohës së tyre te Baseli.
Albian Ajeti
Sulmuesi është emri më i fundit në listën e gjatë të futbollistëve që janë transferuar nga Baseli në kantonin e Tiçinos. Lugano duket se i ka dhënë një jetë të re brenda një kohe shumë të shkurtër. Pas vetëm dhjetë paraqitjesh, ai ka shënuar tashmë gjashtë gola.
Renato Steffen (34)
Në Basel ai fitoi titujt e vetëm të deritanishëm në karrierën e tij. Më pas, rruga e çoi në Bundesligën gjermane. Kur u kthye në Zvicër, mund ta kishte imagjinuar edhe një rikthim te Baseli. Por kjo nuk ndodhi. Në vend të kësaj, Steffen u shndërrua në një përforcim shumë të rëndësishëm për Luganon.
Uran Bislimi (27)
Ish-futbollisti i akademisë së Baselit nuk mori kurrë një mundësi te skuadra e parë e këtij klubi. Në vend të kësaj, iu desh që, përmes paraqitjeve të mira te Schaffhauseni, të dëshmonte veten për të fituar një vend në Superligë. Që nga viti 2022 është pjesë e Luganos, ku është shndërruar në një futbollist të rëndësishëm të skuadrës.
Gjan Ajdin (19)
Ashtu si Bislimi, edhe ai është produkt i akademisë së të rinjve të Baselit. Megjithatë, në vend që të priste rastin e tij te Baseli, vendosi të transferohej në kantonin e Tiçinos. Nuk përjashtohet mundësia që një ditë Baseli të pendohet për largimin e futbollistit që është pjesë e përfaqësueses U19 të Suedisë.
Felix Gebhardt (24)
Që nga ky sezon, ai është portieri i dytë i Luganos. I lindur në Lörrach të Gjermanisë, Gebhardt u formua në akademinë e Baselit, përpara se të largohej nga klubi në vitin 2022 dhe të vazhdonte karrierën në Gjermani. Tani është rikthyer në Superligën zvicerane, por jo në brigjet e Rajnës, por në brigjet e liqenit të Luganos.
Germano Vailati (46)
Gjashtë vitet e fundit të karrierës së tij si futbollist profesionist, Vailati i kaloi te Baseli. Gjatë kësaj periudhe, ai u shpall pesë herë kampion i Zvicrës. Në vitin 2018 e përfundoi karrierën në Basel, por mbeti në klub në rolin e trajnerit të portierëve. Që nga viti 2025 është rikthyer në Lugano.
Luis Suárez Arrones dhe Nacho Torreño
Me dy spanjollët, Lugano ka angazhuar edhe dy ish-punonjës të Baselit në sektorin e përgatitjes fizike dhe kondicionit.
Arrones punon në Tiçino që nga viti 2022 në pozitën e shefit të performancës (Head of Performance), ndërsa Torreño, që nga viti 2023, mban pozitën e drejtorit për shëndet dhe performancë (Director of Health and Performance).
Georg Heitz
Ai ishte njëri prej arkitektëve të Baselit të madh gjatë periudhës së presidentit Bernhard Heusler. Sot, si anëtar i bordit drejtues të Luganos, Heitz është një prej njerëzve që drejton punët e klubit.
Ai luajti rol vendimtar në bindjen e Joe Mansueto-s për të investuar te Lugano, në emërimin e Sebastian Pelzerit si drejtor sportiv dhe në angazhimin e Martin Blaserit si drejtor ekzekutiv.
Martin Blaser
Ai konsiderohet si njëri prej ekspertëve më të mirë të marketingut sportiv në Zvicër dhe sot është një nga figurat kryesore të FC Luganos.
Më parë, nga viti 2013 deri në vitin 2017, Blaser kishte punuar si drejtor i marketingut te Baseli. Në atë kohë, Heitz kujdesej që Baseli të ishte skuadra kryesore e Zvicrës në fushën e lojës, ndërsa Blaser drejtonte zhvillimin e klubit jashtë fushës.
Andrea Ruberti
Për gati pesë vjet, nga viti 2016 deri në vitin 2020, Ruberti punoi në sektorin e mediave te Baseli.
Në vitin 2024, Blaser e solli atë në Lugano. Fillimisht, mori detyrën e shefit të përmbajtjes dhe redaksisë (Head of Content & Newsroom), ndërsa që nga pranvera e vitit 2025 ushtron funksionin e drejtorit për marketing dhe komunikim (Chief Marketing & Communications).
Joachim Reuter
Nga viti 2015 deri në vitin 2021, ai punoi në departamentin e marketingut të Baselit, ku ishte përgjegjës për sektorin e sporteve elektronike (E-Sports).
Pas një periudhe të kaluar në sektorin privat, në vitin 2024 u transferua te Lugano. Aty sot ushtron funksionin e shefit për hulumtim dhe strategji (Head of Research & Strategy).
Philippe Siffert
Te Baseli, Siffert punoi për disa vite si shef i shërbimeve të sponsorizimit (Head of Sponsoring Services), ku edhe u njoh me Martin Blaserin.
Ky i fundit e solli në Lugano në vitin 2021, ku Siffert mori një rol qendror si drejtues i projektit për ndërtimin e stadiumit të ri, AIL Arena.