Ole Gunnar Solskjaer ka pranuar se do të dëshironte një mundësi të dytë për t'u rikthyer në stolin e Manchester Unitedit, duke zbuluar se ende ndjen se ka diçka të pambyllur me klubin anglez.
Në një intervistë për televizionin norvegjez TV 2, ish-trajneri i Unitedit foli për periudhën e tij në Old Trafford dhe mundësinë e një rikthimi në të ardhmen.
“Ende ndiej se kam diçka të pazgjidhur. Sigurisht, do të kishte qenë bukur ta kisha edhe një herë atë mundësi”, deklaroi Solskjaer.
Norvegjezi tregoi se kishte biseduar me drejtuesit e klubit, Jason Wilcox dhe Omar Berrada, në kohën kur Manchester United po kërkonte zgjidhje për stolin e trajnerit. Megjithatë, ai theksoi se nuk kishte pasur negociata apo kërkesa për kontratë.
Pavarësisht dëshirës për t'u rikthyer, Solskjaer shprehu mbështetje të plotë për Michael Carrickun, duke e cilësuar atë si njeriun e duhur për ta çuar përpara klubin.
“Michael i ka të gjitha mundësitë për ta çuar atë klub përpara. Mendoj se është njeriu i duhur. Ai e kupton klubin, i kupton tifozët dhe e di se çfarë kërkohet”, u shpreh norvegjezi.
Ai shtoi se do ta pranonte edhe një rikthim të shkurtër në të ardhmen, nëse një mundësi e tillë do t'i ofrohej.
“Nëse Michael bën punë të mirë për dhjetë vjet dhe vendos të largohet, e nëse më kërkojnë që ta drejtoj ekipin për dy muaj, sigurisht që nuk do të thosha jo. Kam kaluar 18-19 vjet në atë klub, është pjesë e familjes sime. Por nuk është diçka për të cilën po mendoj aktualisht”, përfundoi Solskjaer.
Solskjaer drejtoi Manchester Unitedin nga viti 2018 deri në nëntor të vitit 2021, ndërsa tashmë ka bërë të qartë se lidhja e tij me klubin mbetet e veçantë, pavarësisht se për momentin mbështet vazhdimin e projektit të Carrickut.