​Ish-ylli i Interit rrëfen betejën me alkoolin dhe depresionin: Arrita në fund të jetës sime

Futboll

​Ish-ylli i Interit rrëfen betejën me alkoolin dhe depresionin: Arrita në fund të jetës sime

Më: 4 nëntor 2026 Në ora: 10:50
Fotoilustrim

Ish-mesfushori i Interit, Fredy Guarin, ka rrëfyer hapur periudhën më të vështirë të jetës së tij, duke zbuluar se problemet me alkoolin dhe depresionin ndikuan rëndë në karrierën e tij futbollistike dhe në jetën personale.

Në një intervistë për gazetën italiane “Gazzetta dello Sport”, ish-futbollisti kolumbian ka treguar se gjatë viteve të tij te Interi ishte zhytur në një varësi të rëndë nga alkooli, të cilën nuk arrinte ta kontrollonte.

“Sigurisht. Pija edhe kur luaja, dhe për mua nuk ishte një çështje shoqërore, por një obsesion i vërtetë. Pija vetëm, kudo: në shtëpi, në restorante, pas stërvitjes dhe pas ndeshjeve. Futbolli ishte një mënyrë për të më shfryrë energjitë; vetëm në fushë mund të çlodhesha. Pastaj kthehesha në shtëpi dhe dehesha vetëm. Kisha hyrë në një lak nga i cili nuk mund të dilja”, ka rrëfyer Guarin.

Ai ka zbuluar edhe arsyen e largimit nga Interi, duke thënë se drejtuesit e klubit kishin kërkuar nga agjentët e tij që ta largonin nga Milano dhe Italia, pasi situata ishte bërë e papërballueshme.

“Menaxherët u thanë agjentëve të mi të më largonin nga Milano dhe Italia: Isha bërë i papërballueshëm. Fatkeqësisht, edhe kur u largova, asgjë nuk ndryshoi. Kisha arritur në fund. Kam një frazë të tatuazhuar në trupin tim, e kam shkruar vetë: 'Kam frikë nga vdekja dhe burgu', dhe pa e ditur, jetoja në një burg si një njeri i dënuar me vdekje. Gati sa nuk ia vura jetën vetes disa herë; isha jashtë kontrollit. Depresioni dhe alkooli janë dy përbindësha që të zvarritin në ferr”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Guarin thotë se tashmë është në një rrugë më të mirë dhe po përpiqet që përvojën e tij ta shndërrojë në një mësim për futbollistët e rinj.

“Kam arritur në fund dhe tani po ngjitem përsëri. Ndihem më mirë dhe po ndjek lumturinë. Po ndaj përvojën time me lojtarët më të rinj në mënyrë që t'i ndihmoj të shmangin gabimet”, është shprehur kolumbiani.

Guarin, i cili gjatë karrierës së tij veshi fanellën e Interit nga viti 2012 deri më 2016, ka thënë se klubi zikaltër ka mbetur gjithmonë në zemrën e tij, pavarësisht mënyrës se si përfundoi aventura në Milano.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat